Misioni i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike është të përgatisë studentët për një shoqëri të globalizuar të teknologjisë dhe informacionit, përmes qasjeve të orientuara drejt studentit, mësimdhënies së avancuar teorike dhe praktike, si dhe kërkimit shkencor në fushat thelbësore të teknologjisë së informacionit. Fakulteti u mundëson studentëve të përgjigjen sfidave në zhvillim të teknologjisë, duke ofruar zgjidhje kreative për tregun e punës dhe shoqërinë në përgjithësi në epokën digjitale, nëpërmjet kërkimit, bashkëpunimit me industrinë dhe angazhimit komunitar.
Fakulteti ndërthur të nxënit teorik dhe praktik, duke u mundësuar studentëve të fitojnë themelet kryesore teorike, të zhvillojnë shkathtësi praktike dhe të aplikojnë kompetencat e tyre për zgjidhjen e problemeve komplekse. Përveç kësaj, Fakulteti synon të zhvillojë personalitetin e studentëve duke i angazhuar ata në diskutime mbi çështje shoqërore dhe etike, si dhe përgjegjësi sociale. FSHK promovon pjesëmarrjen dhe angazhimin e studentëve në përmirësimin e procesit mësimor, duke kontribuar kështu në zhvillimin e aftësive të tyre udhëheqëse, bashkëpunimit dhe përgjegjësisë ndaj të tjerëve.
Fakulteti i Shkencave Kompjuterike synon të sigurojë që studentët e diplomuar të jenë konkurrues në tregun e punës, vendor dhe global, si individë apo si pjesë përbërëse e organizatave. Fakulteti mbështet idetë inovative të studentëve, realizimin e produkteve teknologjike, dizajnimin e projekteve dhe zhvillimin e kërkimit shkencor, si dhe organizimin e vizitave studimore dhe praktikave në industri, duke siguruar kështu progresin e studentëve gjatë gjithë studimeve dhe përgatitjen e tyre për punësim të suksesshëm në industri.