Fakulteti i Psikologjisë dhe Shkencave Sociale organizuan panel diskutimi për personat me Sindromën Down

22 Mars 2022

Në kuadër të Ditës Botërore të Sindromës Down, Fakulteti i Psikologjisë dhe ai i Shkencave Sociale, për studentët e vet, organizuan një panel diskutimi.

Në këtë panel, për projektet, sfidat dhe përfshirjen e personave me sindromën Down, diskutuan përfaqësuesit e Shoqatës Down Syndrome Kosova, Ermira Shabani dhe Dionis Ferataj si dhe profesoresha e Kolegjit AAB, Vjollca Berisha.

Diskutuesit, njëzëri potencuan se është bërë shumë kundrejt përfshirjes edukative dhe profesionale të personave me nevoja të veçanta në vendin tonë, porse barra kryesore për mbështetjen dhe fuqizimin e kësaj kategorie, ende i mbetet organizatave jo-qeveritare dhe shoqërisë civile, përderisa institucionet shtetërore akoma nuk tregojnë angazhim serioz në ndihmë fëmijëve me nevoja të veçanta.

Për fund fare, Dionis Ferataj nga shoqata DSK dhe njëkohësisht bartës i trizonomisë kromozomale, rrëfeu për punën e tij të zellshme në kuadër të shoqatës, që njëherit tregon për kapacitetin që kanë personat me sindromën Down për të dhënë kontribut social dhe profesional.

Share: