Fakulteti i Shkencave Kompjuterike mbajti punëtori njëditore me studenët e vitit të dytë

21 Dhjetor 2020

Rritja e vetëdijësimit për bashkëpunim mes vete, praktikimi dhe rritja e njohurive për gjetjen e zgjidhjes së problemeve të ndryshme në fushën e TIK, komunikimi efektiv i koncepteve, mundësive dhe zgjidhjeve, përdorimi dhe aplikimi i sensorëve të ndryshëm, por edhe diskutime të zhvillimeve dhe arritjeve inovative në teknologji, ishin disa nga temat e punëtorisë njëditore me studentët e vitit të dytë të Fakultetit të Shkencave Kompjuterike të mbajtur në ambientet e Kolegjit AAB.


Në kuadër të kësaj punëtorie u përfshinë një laramani problemesh nga lëndët: “Qarqet digjitale”, “Programimi në Java” dhe “Rrjetat kompjuterike”.
Organizatorja e këtij aktiviteti, mësimdhënësja Valdete Daku, tha se analizimi dhe zhvillimi praktik i projekteve/problemeve në kohë reale nga studentët janë mënyra më e mirë për të avancuar njohuritë e tyre.

“Në momentin që këto faza zhvillohen në punëtori të hapura, pra kur studentët ballafaqohen direkt me probleme të ndryshme të fushës së tyre, analizojnë bashkërisht zgjidhjet, kanë interaktivitet mes vete dhe bashkëpunojnë në grupe, rezultatet janë shumëfish më të mira”, theksoi Daku.


Sipas saj, qëllimi kryesor i punëtorisë ka qenë të sigurojë një ambient pune pak më ndryshe nga ai normal akademik, gjatë të cilit studentët kanë hapësirë të mësojnë nga njëri tjetri, të diskutojnë ide të reja, mënyra të ndryshme të zgjidhjeve të problemeve, të socializohen dhe te mësojnë më shumë me njëri tjetrin, etj..


Organizime të këtilla u vlerësuan shumë të dobishme edhe nga vetë studentët. Ata u shprehën shumë të kënaqur me aktivitetin, duke theksuar se kjo formë e ballafaqimit direkt me problemet praktike nga fusha që u intereson dhe shkëmbimi i përvojave dhe ideve janë tejet të rëndëishme për zhvillimin professional.

Share: