Fillon aktivitetin Kujdestaria Studentore Anti-COVID-19

14 Tetor 2020

Duke qenë një nga institucionet shembull në vend për respektimin e masave për mbrojtje nga virusi korona, stafi dhe studentët e Kolegjit AAB vazhdojnë të bëjnë më të mirën e tyre ashtu që këto masa të zbatohen në përpikëri.Nga sot, Task-Forcës së krijuar nga AAB për mbrojtjen dhe zbatimin e rregullave anti-COVID-19, i është bashkuar edhe Unioni i Studentëve.

Kujdestaria Studentore Anti-COVID-19 do të jetë një grup vullnetarësh nga radhët e studentëve të cilët në koordinim të plotë me Unionin e Studentëve, do të kujdestarojnë gjatë tërë ditës në të tre kampuset e Kolegjit AAB në Prishtinë, Ferizaj e Gjakovë me qëllim të vrojtimit të situatës.

“Qëllimi ynë është që të gjithë studentëve dhe stafit të AAB-së, t’ ua rikujtojmë se mbajtja e maskës dhe mbajtja e distancës është obligative dhe e domosdoshme”, thotë Gentiana Uruqi, kryetare e Unionit të Studentëve.

“Ne jemi bërë bashkë, për të dhënë kontributin tonë në luftën me virusin korona, sepse nuk duam që fakultetet tona të mbyllen sërish. Me gjithë suksesin e treguar në kohë rekorde të Kolegjit AAB për kalimin në mësimin nga distanca gjatë periudhës së mbylljes totale nga pandemia, ne konsiderojmë se mësimi në kampus është shumë më efektiv, andaj do të bëjmë maksimumin që situatën ta kemi nën kontroll dhe të vazhdojmë të mbajmë mësimin fizikisht”, thekson kryetarja Uruqi.

Kujtojmë se AAB është nga institucionet e pakta që ka filluar vitin e ri akademik për studentët e viteve të dyta, të treta e të katërta, ndërkohë që studentët e rinj do të fillojnë mësimin, nga fundi i muajit.

Duke iu bashkuar aksionit të vullnetarëve të US AAB, edhe njëherë u bëjmë thirrje të gjithëve që të jenë të vëmendshëm dhe të kujdesen për shëndetin e vetes dhe të tjerëve, duke respektuar masat anti-COVID-19.

Share: