Filluan ligjëratat për vitin e parë, ndërkohë që vazhdon regjistrimi i studentëve të rinj në Kolegjin AAB

26 Tetor 2020

Sot në Kolegjin AAB, filloi viti i ri akademik 2020/21, edhe për studentët e regjistruar për herë të parë në studime universitare. Ndonëse në rrethana krejtësisht të tjera, për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, entuziazmi nuk mungoi as te studentët e rinj dhe as te stafi akademik.
Në pritjen e studentëve të rinj, krahas stafit akademik të secilit fakultet janë angazhuar edhe Unioni i Studentëve dhe studentët vullnetarë të cilët do të ndihmojnë përgjatë javës së parë të gjithë studentët, për orientim dhe familjarizim me jetën universitare.

AAB po ashtu është përkujdesur të ndërmarrë të gjitha masat e duhura, që në përputhje me rekomandimet e institucioneve përgjegjëse si IKShPK dhe MSh për mbrojtje nga koronavirusi, të nisë një vit para së gjithash të sigurt për të gjithë komunitetin e AAB-së. Në kuadër të përgatitjeve, AAB ka krijuar edhe një Task-Forcë e cila është marrë me caktimin e udhëzimeve dhe zbatimin e tyre, ndërsa në bashkëpunim me menaxhmentin kanë krijuar kushtet e përshtatshme që studentët të jenë të mbrojtur edhe gjatë procesit të mësimit.

Kujtojmë se viti akademik sot ka filluar për studentët e vitit të parë, derisa studentët e viteve të dyta e të treta, kanë filluar me ligjërata që nga 01 tetori.
Nga ana tjetër, Kolegji AAB informon të gjithë maturantët dhe të interesuarit e tjerë se afati i regjistrimit në vitin e parë të studimeve është ende i hapur dhe mund të paraqiten për regjistrim çdo ditë pune, në kampuset e Kolegjit AAB në Prishtinë, Ferizaj e Gjakovë, por edhe në zyrat tona informuese në të gjitha qytetet e Kosovës.
Kolegji AAB uron të gjithë studentët e rinj:
Urime dhe me fat e suksese viti i ri akademik 2020/21!

Share: