Filmin “Mungesa” i studentëve Artan Avdiu e Shqipërim Selimi, fitoi çmimin “Essence Award” në ShBA

25 Prill 2016

Artan Avdiu, student i Fakultetit të Komunikimin Masiv, drejtimi Produksion në AAB, ka fituar çmimin “Essence Award” me filmin “Mungesa”, në festivalin “International Peace & Film Festival”, që u mbajt në Orlando të Floridas, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Filmi është pritur shumë mirë nga juria profesionale, për neve ishte fitore e madhe që arritëm ta marrim një çmim të tillë nga më shumë se 1300 filma që ishin në garë nga e gjithë bota”, ka thënë Artan Avdiu, i cili ka shtuar se “në këtë festival tash e tutje jemi të ftuar edhe në vitet në vijim, ku do ta përfaqësojmë shtetin tonë Kosovën dhe Kolegjin AAB”.

Artan Avdiu së bashku me Shqipërim Selimi, autorët e filmit, thonë se fillimisht filmin e kanë realizuar vetëm për një projekt në kuadër të lëndës “Montazh”, por pas kritikave pozitive që morëm nga profesori i lëndës Zijad Mehiç dhe asistenti Albin Xharra, kemi vendosur që ta dërgojmë në festivalin ndërkombëtar “International Peace & Film Festival”, ku pas aplikimit filmi menjëherë është nominuar në kategorinë ‘Student Short Film” dhe “Ambasador of Peace’”.

Profesor Zijad Mehiç, thotë se ky është një sukses shumë i madh i studentëve të AAB-së në gara ndërkombëtare: “Ne vërtetë jemi të lumtur për sukseset e studentëve tanë dhe ky sukses i tyre duhet të gjejë një hapësirë më të madhe promovuese jo vetëm si rezultat i AAB-së, por edhe i Kosovës”, ka thënë ai.

 Filmi “Mungesa” është film i metrazhit të shkurtër, që trajton mungesën dhe rëndësinë e ujit në jetën e njeriut. Regjia, skenari dhe montazhi i filmit është realizuar nga Artan Avdiu dhe Shqipërim Selimi, drejtor fotografie Adil Beqa, kurse aktorë Festim Sokoli dhe Edion Hoxha.

Artan Avdiu për shtatë ditë me radhë ka qëndruar në  Orlando të Floridas, ku të gjitha shpenzimet e udhëtimit dhe të qëndrimit u mbështeten nga Komuna e Shtimes.

 

Share: