Kolegji AAB nënshkroi kontratë me kompanitë gjermane DKV dhe Expert Plaze nga e cila mund të punësohen mijëra studentë të Infermierisë
Me një ceremoni solemne, Kolegji AAB nënshkroi kontratë me dy kompanitë gjermane DKV dhe Expert Plaze, qëllimi i së cilës është që studentëve të këtij kolegji t’u krijohet mundësia e punësimit të menjëhershëm në tregun gjerman si infermier/e.
Me këtë rast, prorektori për mësim i Kolegjit AAB, z. Shemsedin Vehapi, në fjalën e tij tha se, me nënshkrimin e kësaj kontrate, AAB vazhdon ta fuqizojë rolin e vet të rëndësishëm në mesin e komunitetit akademik dhe profesional, duke i ofruar tregut të punës jo vetëm vendor, por edhe atij të jashtëm, kuadro të kualifikuar dhe kompetent në çdo fushë të jetës.
“Sot ndihem tejet i kënaqur me finalizimin e përpjekjeve dhe angazhimit tonë njëvjeçar për nënshkrimin e marrëveshjes mes Kolegjit AAB dhe kompanive DKV dhe Expert Plaze. Kjo marrëveshje na e mundëson që të fillojmë në mënyrë zyrtare me Programin e karrierës dhe punësimit të infermierëve në shtetin gjerman. Kosova ka një sfidë të madhe dhe të ngutshme për punësimin e të rinjve, prandaj ne si kolegj, krahas përgatitjeve akademike dhe profesionale që bëjmë tash e 19 vite për studentët tanë, sot po hedhim edhe një hap më tej, krijimin e mundësive të reja të punësimit për studentët tanë në tregun gjerman përmes programit të karrierës dhe punësimit në Gjermani”, theksoi prorektori Vehapi.
Sipas tij, qëllimi i Kolegjit AAB me këtë bashkëpunim është që të promovojë perspektivat profesionale të studentëve në tregun gjerman, por duke mos lënë anash edhe tregun vendor.
“Projekti është një formë moderne e programit arsimor në lidhje me përgatitjen profesionale jo vetëm në fushën e infermierisë, por edhe përgatitjen në karrierë si dhe përcjelljen dhe mbështetjen e studentëve deri në punësimin e tyre në Gjermani. Tashmë programi do të jetë pjesë e Kolegjit AAB me zyrë në objektin kryesor, ku çdo ditë studentët do të kenë mundësi të informohen dhe të kontaktojnë drejtpërdrejt me kompanitë gjermane për punësimin e tyre”, tha Vehapi.
Ndërsa, përfaqësuesi i kompanisë DKV, Uwe Peters, i cili përshëndeti këtë marrëveshje, tha se shteti gjerman ka nevojë për numër të madh të infermierëve dhe sipas tij, bashkëpunimi me Kolegjin AAB si institucion serioz i arsimit të lartë, ka një rëndësi të veçantë për ta.
“Gjermania ka ndryshuar shumë vitet e fundit, nuk ka qenë gjithmonë një shtet mirëseardhës. Sidomos në shërbimin e infermierisë momentalisht po i duhen shumë personel të kualifikuar”, u shpreh Peters.
Po ashtu edhe drejtori ekzekutiv i kompanisë Expert Plaza nga Gjermania, Ulrich Scheurer, u shpreh mjaft i kënaqur me arritjen e kësaj marrëveshje bashkëpunimi me Kolegjin AAB, i cili mes tjerash tha se janë dhjetëra mijëra vende të lira punës në Gjermani ku kërkohen infermierë, nga të cilat studentët e AAB-së mund të përfitojnë.
“Momentalisht kemi më shumë se 30 mijë vende të lira pune. Ne në Gjermani ju ofrojmë mundësi të veçanta dhe kushte të mira punësimi. Ju jeni dëshmitarë të një marrëveshje, e cila është vetëm një gur i hedhur të një rruge të gjatë për një punë të mrekullueshme, për të cilën gëzohem që do ta zhvillojmë së bashku”, tha Scheurer.
Nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit mes Kolegjit AAB dhe kompanive gjermane DKV dhe Expert Plaze e përshëndeti Blerina Osmani, drejtoreshë ekzekutive e kompanisë “Lingua”, kompani kjo për aftësimin gjuhësor dhe koordinimin e punësimin e personelit shëndetësor në Gjermani.
Në këtë ceremoni gjithashtu u tha se të gjithë studentët që punësohen si infermier/e në Gjermani, kanë të drejtën edhe të bashkimit familjar.
Këtë ngjarje me rëndësi të veçantë e mirëpriten studentët e Fakultetit të Infermierisë të Kolegjit AAB, të cilët me një debat interaktiv përmbyllen ceremoninë solemne të nënshkrimit të kësaj marrëveshje.
Qëllimi kryesor i nënshkrimit të kësaj marrëveshje është që studentët e Fakultetit të Infermierisë të Kolegjit AAB, krahas studimeve të rregullta, të vijojnë edhe mësimet në gjuhën gjermane, deri sa të arrijnë nivelin B2, si dhe trajnime të vazhdueshme në aspektin profesional, ku nga kjo përgatitje do të trajtohen si profesionistë shëndetësorë të barabartë në tregun gjerman.
Krahas këtyre, projekti ofron mundësi që këta studentë të realizojnë edhe pjesën e praktikave profesionale të nevojshme.
Ky program është unik dhe ekskluziv vetëm për studentët e Kolegjit AAB me zero shpenzime shtesë për ta.