Hapet zyrtarisht edicioni i katërt i Festivalit të Arteve dhe Arkitekturës në Kolegjin AAB

26 Maj 2023
The fourth edition of the Festival of Arts and Architecture at AAB College is officially opened

Me një ceremoni përplot pika artistike dhe performanca të shkëlqyera nga studentët është hapur edicioni i katërt i Festivalit të Arteve dhe Arkitekturës “Prishtina Arts and Architecture Festival 2023”. E veçanta e këtij festivali do jetë mbajtja e një sfilate mode, koloni artistike, punëtori, ekspozita dhe aktivitete të shumta në kuadër të organizimit.

Në fjalën hyrëse të festivalit zv/rektori i Kolegjit AAB Shemsedin Vehapi tha se falënderon të gjithë organizuesit të cilët po trasojnë misionin e institucionit dhe vendosjen e studentit në qendër. Ai shtoi se organizimi i një festivali i përmasave të tilla është mënyra më e mirë për të paraqitur përpjekjet e tërë stafit.

Edhe dekani i Fakultetit të Arteve i Kolegjit AAB Fitim Aliu u shpreh se ky festival tashmë është një traditë që promovon punën dhe eksperiencën gjatë një viti të studentëve nga ky fakultet. Aliu tha se gjatë ditëve të festivalit do ketë punëtori, ekspozita, koloni artistike dhe në fund një shfaqje mode, ndërsa përmendi edhe zhvillimin e Konferencës Kombëtare të Arkitekturës – Archikomb në të njëjtën kohë e cila do shtjelloj temën “Arkitekti dhe Arkitektura në kontekstin kohë”.

Gjatë hapjes së festivalit kishte pika të shumta artistike duke filluar me një vallëzim bashkëkohor i performuar nga studentët e drejtimit të Koreografisë, ndërsa më vonë performuan edhe një Kabare Franceze. Për të vazhduar më pas me studentët e drejtimit të Muzikologjisë me veprat: Këngë solo “Lule borë” nga Elza Selmanaj, duet solo me kitarë “Kur e përcolla ylberin” nga Ermal Demiri dhe Riad Ramadani dhe solo duet instrumental “Një lule” e interpretuar nga Lejla Dema dhe Astrit Stafaj.

Nën kujdesin dhe dirigjimin e profesorit Memli Kelmendi kori i Fakultetit të Muzikologjisë u paraqit me tri vepra korale si në vijim: “Erdh misiti” nga kompozitori Fahri Beqiri; “Zare vema fesin” nga kompozitori Konstantin Trako; “Mirëmrama” nga kompozitori Lorenc Antoni.

Share: