I mbylli punimet Konferenca Shkencore Ndërkombëtare “Gjuhësi, letërsi dhe kulturë” e Kolegjit AAB

21 Qershor 2016

Me rastin e 400-vjetorit të vdekjes së Shekspirit (William Shakespeare), në Fakultetin e Gjuhës Angleze të Kolegjit AAB, u mbajt Konferenca Shkencore Ndërkombëtare “Gjuhësi, letërsi dhe kulturë”, e  organizuar në partneritet me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës (UT), Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Durrës (UAMD), Fakultetin Gjuhë dhe Letërsi Angleze të Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL), English Language Teachers Association (ELTA), dhe Kosova English Teachers Network (KETNET) etj.

Ky aktivitet shkencor përveç që zgjoi interes të vërtetë te studiuesit, gjuhëtarët dhe profesionistët vendorë dhe ndërkombëtarë të kësaj fushe, shërbeu edhe si një vendtakim për të prezantuar  studimet dhe hulumtimet e tyre, për të  shkëmbyer  përvojat akademike dhe hulumtuese, si dhe  krijuan  mundësi bashkëpunimi për projekte të reja shkencore në të ardhmen.

Në fjalën e tij hyrëse gjatë hapjes së punimeve të konferencës, rektori i Kolegjit AAB, prof. dr. Lulzim Tafa, tha se për një dekadë e gjysmë të themelimit, Kolegji AAB është bërë qendër e rëndësishme akademike e shkencore, jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon e më gjerë.

“Komponenti shkencor është i domosdoshëm për rrugën tonë si shoqëri drejt Evropës, ku ne si shoqëri dhe shtet synojmë ta kemi një vend me dinjitet dhe të merituar. Duke e kuptuar rëndësinë e shkencës dhe rolin e saj në përgjithësi, Kolegji AAB i ka kushtuar rëndësi të veçantë ngritjes së kapaciteteve të brendshme për të avancuar këtë komponentë”, tha rektori Tafa. Ndërkaq, Venera Lunji, dekane e Fakultetit të Gjuhës Angleze tha se ky fakultet deri më tani ka nxjerrë shumë mësues të gjuhës angleze, përkthyes, madje edhe gazetarë. Ajo shtoi se fushën e gjuhës dhe letërsisë angleze, Kolegji AAB e pasuron edhe përmes aktivitete dhe konferencave të nivelit shkencor.

Meqë viti 2016 shënon 400 vjetorin e vdekjes së Shekspirit, sesioni plenar  u hap me veprat e tij, me anë të kumtesave të prezantuara nga studiues të shquar të letërsisë Shekspiriane për të vazhduar më tej me kumtesat në gjuhësi, letërsi angleze dhe amerikane, metodologji e mësimdhënies, studime ndërkulturore etj.

Në seancën plenare, me kumtesa u paraqitën prof. dr. Andrew Goodspeed dhe prof. dr. Refik Kadija, ku u përqendruan në periudhën kohore të veprimtarisë së Shekspirit, në veprat e tij dhe në përkthimet e bëra në gjuhën shqipe nga përkthyes me renome botërore; për vënien në skenë të veprave të Shekspirit në periudha të ndryshme kohore sidomos në Shqipëri.  Ndërsa prof. dr. Viktor Ristani, ofroi një analizë të komunikimit ndërkulturor në fushën e përkthimit e që është pa dyshim një prej sfidave më të mëdha që një përkthyes i ka gjatë procesit të përkthimit.  Prof. dr. Shpresa Delija, nga këndvështrimi i ekspertes në fushën e metodologjisë së mësimdhënies shpjegoi se përkrahja e kreativitetit dhe risive në mësimdhënie janë mjete shumë të rëndësishme në suksesin e mësimdhënësit në të ofruarit e dijes dhe të nxënit nga ana e studentit.

Përveç seancës plenare dhe seancës përmbyllëse, punimet e konferencës u zhvilluan edhe në gjashtë sesione paralele, ku prezantuan mbi 80 pjesëmarrës – studiues dhe profesionistë të fushave të cekura si më lart.

“Konferenca e organizuar nga Kolegji AAB ishte një mundësia shumë e mirë për studiuesit nga Shqipëria të ndanim arritjet dhe risitë e kërkimit shkencor me kolegët nga Kosova, Maqedonia e vende të tjera të rajonit e më gjerë”, tha prof. asoc. Leonard Danglli, nga Universiteti i Tiranës, pas prezantimit të punimit të tij. Ndërsa, Manjolla Lubishtani  tha se konference shërbeu gjithashtu si urë lidhëse midis pedagogëve nga Shqipëria dhe Kosova në të mirë të bashkëpunimit në fushën e kërkimit shkencor dhe mësimdhënies.

Në seancën përmbyllëse u dhanë edhe konkluzionet e konferencës, ku ndër tjera u tha se veçoritë gjuhësore janë të një rëndësie të veçantë gjatë procesit të përkthimit; gjuhët ndikojnë në formësimin e kulturave të ndryshme dhe identiteteve të ndryshme, teknologjia moderne ka ndikuar si në fushën e përkthimit ashtu edhe në atë të metodologjisë së mësimdhënies së gjuhës angleze; dhe si konkuzlion i veçantë doli se letërsia është çelësi i lidhjes ndërmjet kulturave në mbarë botën dhe se krijues të shquar si: Sheksipiri, Servantesi, Hemingueji, Virgjinia Ulf, Graham Grin, e të tjerë, gjithmonë do të mbesin pasuri e njerëzimit, etj.

Përmbyllja e suksesshme e konferencës shërbeu edhe si një urë lidhëse midis studiuesve nga vende të ndryshme dhe u shkëmbyen eksperienca dhe u krijua një rrjet për bashkëpunime të mëtejshme.

Share: