Infermierët e Kosovës e Shqipërisë kërkojnë mbështetje më të madhe institucionale

Në kuadër të shënimit të 12 Majit, Ditës Botërore të Infermierisë, Kolegji AAB, respektivisht Fakulteti i Infermierisë organizoi një mori aktivitetesh që kishin për qëllim sensibilizimin e qytetarëve sa i përket profesionit të infermierit.

Krahas aktiviteteve si dhurimi vullnetar i gjakut, ofrimi i shërbimeve mjekësore falas në të gjitha qytetet e Kosovës, u mbajt edhe tryeza “Infermieria, zëri që udhëheqë”, e cila mblodhi studiues nga Shqipëria e Kosova. Në këtë tryezë u diskutuan preokupimet e infermierëve nga të dy vendet që nga koha kur ky profesion ka filluar të marrë kahe më serioze nga institucionet shtetërore.

Dekani i Fakultetit të Infermierisë në Kolegjin AAB, prof.dr. Idriz Sopjani në hapjen e kësaj tryeze diskutimi falënderoi të gjithë pjesëmarrësit që gjatë gjithë kohës kanë kontribuar më pikëpamjet e tyre në debatet që ka organizuar Kolegji AAB rreth profesionit të infermierisë.

Zëvendësrektori i Kolegjit AAB, prof.dr. Shemsedin Vehapi theksoi se mbështetja e Kolegjit AAB drejtuar infermierëve nuk ka munguar asnjëherë, dhe se këtë fakt e dëshmon më së miri angazhimi i pakusht i Fakultetit të Infermierisë karshi studentëve të cilët në të ardhmen presin që të bëhen profesionistë të dëshmuar.

Në këtë tryezë diskutimi, Presidentja e Urdhrit të Infermierisë në Shqipëri, Blerina Duka, tregoi se figura e infermierit në Shqipëri duhet të këtë një trajtim më të veçantë nga ministria e shëndetësisë duke e pasur parasysh që është një profesion mjaft i kërkuar nga të rinjtë.

Ndërsa, kryetari i Odës së Infermierëve të Kosovës, Naser Rrustemi, tregoi se njëri ndër problemet me infermierët e Kosovës është koeficienti jo i duhur i pagave. Sipas tij nëse nuk ndryshohet kjo, Kosova do të jetë e detyruar të marrë personel nga vendet e tjera, pasi që nga vendi do të largohen edhe studentët të cilën janë në përfundim të studimeve.

Tryeza e diskutimit “Infermieria, zëri që udhëheq”, vazhdoi me ligjëratën e profesoreshës nga Shqipëria Sajmira Aderaj. Krahas historikut të këtij profesioni në Shqipëri, Aderaj bëri edhe krahasimet në mes infermierëve të Kosovës dhe Shqipërisë, ndërsa sipas saj gjendja aktuale te të dyja vendet është e njëjtë. Ajo bëri thirrje që zëri i infermierëve të dëgjohet më shumë nga institucionet shtetërore.

Kontribut në këtë tryezë dhanë edhe përfaqësues të tjerë nga Kosova e Shqipëria, të cilët njëzëri kërkuan mbështetje më të madhe për infermierët.

 

 

INSTITUTI AAB
APLIKO