Kolegji AAB dhe Komuna e Kamenicës nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi

Në vazhdën e marrëveshjeve të bashkëpunimit të cilat Kolegji AAB është duke nënshkruar me të gjitha komunat e Kosovës, sot u arrit marrëveshja e bashkëpunimit edhe me Komunën e Kamenicës ndërinstitucional në sferat që ndihmojnë njëra tjetrën.

Të dy institucionet, nëpërmjet kësaj marrëveshje të nënshkruar nga zv/rektori i Kolegjit AAB, z. Shemsedin Vehapi dhe kryetari i Kamenicës, z.Qëndron Kastrati, pajtohen që në të ardhmen të bashkëpunojnë në nisma të ndryshme për promovimin e arsimit cilësor nëpërmjet aktiviteteve të përbashkëta.

Kryetari Kastrati, i cili priti përfaqësuesit e Kolegjit AAB ne zyrat e komunës, falënderoi këtë kolegj për krijimin e mundësisë për bashkëpunim dhe tha se komuna që ai drejton, gjithmonë do të jetë e gatshme dhe do t’u përgjigjet pozitivisht nismave dhe projekteve të AAB-së që janë në të mirë të studentëve të Komunës së Kamenicës.

Në anën tjetër, vv/rektori Vehapi falënderoi kryetarin Kastrati për gatishmërinë e shprehur për bashkëpunim me Kolegjin AAB, duke i thënë se ky institucion do të angazhohet me të gjitha kapacitetet që ka që kjo marrëveshje bashkëpunimi të gjejë implementim sa më të suksesshëm.

Kolegji AAB me këtë marrëveshje, do të ofrojë bursa të plota për nxënësit më të mirë Komunës së Kamenicës, në cilindo nga programet e studimit, si dhe pika të tjera që janë në interesin e përbashkët ndërinstitucional.

Vlen të përmendet se Kolegji AAB si investimi më i madh në Kosovë e më gjerë në sferën e arsimit të lartë jopublik, deri më tani ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me shumicën e komunave në Kosovë, ku studentët e këtij kolegji në vazhdimësi kryejnë praktikat profesionale nëpër këto institucione.

INSTITUTI AAB
APLIKO