Kolegji AAB dhe Komuna e Mitrovicës nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi

5 Qershor 2018

Një sërë veprimtarish me interes të përbashkët ka bashkuar Kolegjin AAB me Komunën e Mitrovicës. Këto dy institucione nënshkruan marrëveshje për bashkëpunim ndërinstitucional në sferat që ndihmojnë njëra tjetrën.

Të dy institucionet, nëpërmjet kësaj marrëveshje të nënshkruar nga rektori i Kolegjit AAB, z. Lulzim Tafa dhe kryetari i Mitrovicës, z. Agim Bahtiri, pajtohen që në të ardhmen të bashkëpunojnë në nisma të ndryshme për promovimin e arsimit cilësor nëpërmjet aktiviteteve të përbashkëta.

Rektori Tafa falënderoi kryetarin Bahtiri për gatishmërinë e shprehur për bashkëpunim me Kolegjin AAB, duke i thënë se ky institucion do të angazhohet me të gjitha kapacitetet që ka që kjo marrëveshje bashkëpunimi të gjejë implementim sa më të suksesshëm.

Në anën tjetër, kryetari Bahtiri e falënderoi Kolegjin AAB për krijimin e mundësisë për bashkëpunim dhe tha se gjithmonë do të jetë i gatshëm dhe i hapur për bashkëpunim që është në të mirë të studentëve.

“Jam i gatshëm 24 për t’iu ndihmuar studentëve. Ata janë ardhmëria e vendit dhe u duhet ndihma e jonë çdo herë”, u shpreh kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri pas nënshkrimit të marrëveshjes.

Kjo marrëveshje bashkëpunimi përfshinë edhe kryerjen e punës praktike për studentët e Kolegjit AAB në institucionet/departamentet, drejtoritë, agjencitë, institucionet shkollore dhe parashkollore të Komunës së Mitrovicës si dhe e vizita të ndërsjella të të dy institucioneve.

Kolegji AAB me këtë marrëveshje, do të ofrojë bursa të plota për nxënësit më të mirë Komunës së Mitrovicës, në cilindo nga programet e studimit, si dhe pika të tjera që janë në interesin e përbashkët ndërinstitucional.

Kolegji AAB si investimi më i madh në Kosovë e më gjerë në sferën e arsimit të lartë jopublik, deri më tani ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me disa komuna si dhe shumë institucione e organizata të tjera vendore e ndërkombëtare, ku studentët e këtij kolegji në vazhdimësi kryejnë praktikat profesionale nëpër këto institucione.

Share: