Studentëve të Kolegjit AAB në degën e Gjakovës tani e tutje iu shtua edhe një mundësi për të realizuar punën praktike profesionale. Kjo mundësi do të realizohet falë nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit në mes të Kolegjit AAB-Gjakovë dhe Drejtorisë për Punë të Përgjithshme Administrative të Kuvendit Komunal të Gjakovës.
Nëpërmjet këtij memorandumi studentët e Kolegjit AAB do të kenë mundësi të mbajnë praktikën profesionale, ku studentët do të fitojnë shkathtësi dhe njohuri për ofrimin e shërbimeve profesionale, si dhe mundësinë që në të ardhmen edhe të punësohen në sektoret e këtij institucioni.
Nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje e bëri drejtori i degës së Kolegjit AAB në Gjakovë, Rifat Haxhija, si dhe drejtori i Drejtorisë për Punë të Përgjithshme Administrative, Flamur Fetahaj.
Në bazë të kësaj marrëveshjeje, punën praktike prej 2 deri në 4 javë do të mund ta kryejnë studentët e vitit të tretë të Fakultetit Ekonomik dhe Juridik.