Kolegji AAB forcon bashkëpunimin me Italinë – fokus në inovacion, kulturë dhe shkëmbime akademike

30 Prill 2026

Rektori i Kolegjit AAB, Dr.Sc. Blerim Olluri, priti në një takim zyrtar Sh.T. Maurizio Antonini, Ambasador i Italisë në Republikën e Kosovës, në një vizitë që vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar në fusha kyçe si arsimi i lartë, kërkimi shkencor, kultura dhe arti.

Gjatë takimit, palët diskutuan mbi mundësitë konkrete për zhvillimin e partneriteteve me institucione akademike dhe kulturore italiane, me theks të veçantë në ndërkombëtarizimin e programeve studimore, organizimin e shkëmbimeve të studentëve dhe stafit akademik, si dhe inicimin e projekteve të përbashkëta kërkimore dhe artistike.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe organizimit të konferencave ndërkombëtare, aktiviteteve kulturore dhe artistike, si dhe krijimit të platformave të përbashkëta që nxisin dialogun ndërkulturor dhe shkëmbimin e ideve mes dy vendeve. U theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë dhe përfaqësive diplomatike në promovimin e vlerave evropiane, inovacionit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Rektori Olluri shprehu gatishmërinë e Kolegjit AAB për të zgjeruar bashkëpunimin me partnerë italianë në të gjitha nivelet, duke synuar krijimin e mundësive të reja për studentët dhe stafin, si dhe rritjen e cilësisë akademike përmes përvojave ndërkombëtare.

Kjo vizitë konfirmon përkushtimin e Kolegjit AAB për të ndërtuar ura të forta bashkëpunimi me institucione dhe aktorë ndërkombëtarë, duke e pozicionuar atë si një qendër dinamike të zhvillimit akademik, shkencor dhe kulturor në rajon dhe më gjerë.

Share: