Kolegji AAB forcon bashkëpunimin ndërkombëtar në Norvegji: Pjesëmarrje aktive në Javën e Partneriteteve në Universitetin NLA, Bergen

29 Prill 2026

Gjatë pjesëmarrjes në Javën e Partneriteteve në Universitetin NLA në Bergen, Norvegji, prorektorja Venera Llunji së bashku me dekanët Aida Alla dhe Vrullim Buja dhe zyrtaret e projekteve, Erëza Mehmeti dhe Arta Musollaj zhvilluan një seri aktivitetesh intensive akademike dhe profesionale, duke kontribuar drejtpërdrejt në forcimin e ndërkombëtarizimit, inovacionit dhe kapaciteteve kërkimore të institucionit.

Në kuadër të këtij angazhimi, delegacioni i AAB-së mori pjesë në katër punëtori tematike të nivelit të lartë:

Gjatë punëtorisë për digjitalizimin në arsimin e lartë, u diskutuan modele bashkëkohore të studimeve onlinemësimdhënies hibride dhe mbikëqyrjes akademike në distancë, si dhe përdorimi i platformave digjitale për komunikim efektiv me studentët. Këto diskutime janë në përputhje me trendet globale të transformimit digjital në universitete dhe përforcojnë angazhimin e AAB-së për modernizim të vazhdueshëm.

Punëtoria mbi ndërtimin e kapaciteteve kërkimore u përqendrua në rolin e qendrave hulumtuese, zhvillimin e projekteve shkencore, aplikimet për fonde ndërkombëtare dhe menaxhimin e resurseve financiare për kërkimin shkencor. Këto elemente janë thelbësore për rritjen e ndikimit akademik dhe pozicionimin ndërkombëtar të institucioneve të arsimit të lartë.

Në sesionin mbi digjitalizimin në Zyrën Ndërkombëtare, u trajtua përdorimi i mjeteve digjitale dhe inteligjencës artificiale (IA) në menaxhimin e proceseve të ndërkombëtarizimit, përfshirë mobilitetin, komunikimin dhe shërbimet ndaj studentëve ndërkombëtarë.

Ndërkohë, punëtoria mbi komunikimin ndërkulturor solli në fokus sfidat dhe përvojat praktike të Zyrave Ndërkombëtare, veçanërisht në organizimin dhe menaxhimin e shkëmbimeve studentore. Diskutimet u bazuan si në qasje teorike, ashtu edhe në reflektime konkrete nga përvojat e stafit ndërkombëtar.

Dita përmbyllëse e aktivitetit përfshiu punëtorinë strategjike:
“Future Collaboration & Evaluating Possible Future Projects”, ku u shqyrtuan mundësitë për projekte të përbashkëta dhe bashkëpunime afatgjata ndërinstitucionale.

Në të njëjtën ditë, prorektorja Venera Llunji mbajti një ligjëratë për studentët dhe stafin e Universitetit NLA me temë:
“Religion, Religions, Religious”, në kuadër të lëndës Religion, Diversity and Transnational Processes, duke kontribuar në diskursin akademik mbi diversitetin fetar dhe proceset transnacionale.

Kjo pjesëmarrje përfaqëson një hap të rëndësishëm në avancimin e strategjisë së ndërkombëtarizimit të Kolegjit AAB, sepse AAB mbetet i përkushtuar ndaj zhvillimit të partneriteteve strategjike, inovacionit në arsim dhe fuqizimit të rolit të tij në Hapësirën Evropiane të Arsimit të Lartë.

Share: