Kolegji AAB institucioni i vetëm në Kosovë me platformën më të avancuar akademike kundër plagjiarizmit, Turnitin

26 Gusht 2020

Duke filluar nga shtatori Kolegji AAB do të fillojë me përdorimin 100% të të gjitha produkteve të njërës nga platformat më të avancuara akademike kundër plagjiarizmit, Turnitin.

Kjo është bërë e mundur përmes nënshkrimit të kontratës në mes të dyja institucioneve e cila garanton mundësi qasje për të gjithë profesorët dhe studentët të cilët janë pjesë e Kolegjit AAB.

Prorektori për Çështje Akademike në Kolegjin AAB, prof.ass.dr. Shemsedin Vehapi, me këtë rast theksoi se përmes këtij shërbimi shtesë, AAB synon që të rrisë ndërgjegjësimin për integritetin akademik te stafi dhe studentët në mënyrë që të kultivohen vlerat themelore akademike: ndershmëria, besimi, drejtësia, respekti dhe përgjegjësia në të gjithë fushëveprimin e tyre akademik.

Në lidhje me përdorimin dhe vlerat e platformës Turnitin dhe shërbimeve të saj, Kolegji AAB organizoi edhe trajnim online me ekspertë të platformës i cili u mbajt përmes një webinar.

Turnitin përdoret nga 15.000 institucione dhe 34 milionë studentë në të gjithë botën. Kjo platformë ndihmon që të zbulohen ngjashmëritë ose manipulimet e tekstit kur krahasohen me koleksionin gjithëpërfshirës të burimeve të njohura të cilat janë të publikuara në internet, në çfarëdo gjuhe. Po ashtu ndihmon që të analizohen detyrat për origjinalitetin dhe autenticitetin e tyre.

Në këtë mënyrë Kolegji AAB sigurohet që të mbështesë rritjen e studentëve dhe integritetin e tyre akademik.

Share: