Kolegji AAB përfaqësohet në Kongresin Ndërkombëtar të Kriminalitetit në Panama

29 Prill 2026

Prof. Ass. Dr. sc. Mensut Ademi, professor në Fakultetin Juridik në Kolegjin AAB, ka përfaqësuar Republikën e Kosovës në Kongresin VII Ndërkombëtar “Congreso de Criminalidad”, i cili u zhvillua në Panama. Ky aktivitet i rëndësishëm shkencor dhe profesional u organizua nga “Sistema Nacional Integrado de Estadísticas Criminales”.

Gjatë qëndrimit në Panama, Prof. Ademi, në cilësinë e profesorit në fushën e kriminologjisë, pati mundësinë të shkëmbejë përvoja dhe njohuri me profesorë dhe ekspertë nga vende të ndryshme të Amerikës Latine, përfshirë Argjentinën, Brazilin, Uruguain, Kosta Rikën, Paraguain dhe Panamanë.

Kongresi shërbeu si një platformë e avancuar akademike dhe ndërinstitucionale për trajtimin e sfidave bashkëkohore që lidhen me “Sigurinë Hemisferike dhe Kriminalitetin Global”, duke promovuar shkëmbimin e njohurive, përvojave dhe praktikave më të mira në nivel rajonal dhe ndërkombëtar.

Në punimet e këtij forumi morën pjesë personalitete të larta, përfshirë Ministrin e Sigurisë Publike të Panamasë, Frank Alexis Abrego, Zëvendësministrin Luis Felipe Icaza, Sekretarin e Përgjithshëm Juan Carlos Rodríguez, si dhe drejtues institucionalë, përfaqësues të strukturave të sigurisë dhe ekspertë të shumtë ndërkombëtarë.

Diskutimet dhe kontributet shkencore gjatë këtij aktiviteti synuan forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, avancimin e politikave të sigurisë dhe zhvillimin e mekanizmave efikas në luftën kundër kriminalitetit të organizuar dhe kërcënimeve globale.

Në përmbyllje të konferencës, delegacioni nga Republika e Kosovës u ftua të bëhet pjesë dhe anëtar i disa instituteve, akademive dhe universiteteve në Amerikën Latine, duke hapur rrugë për bashkëpunime të reja akademike dhe shkencore. Ky përfaqësim dëshmon angazhimin dhe kapacitetin profesional të institucioneve dhe ekspertëve kosovarë në fushën e kriminologjisë dhe sigurisë globale.

Share: