Kolegji AAB krijon një varg mundësish për bashkëpunim me institucione të ndryshme në Francë

5 Korrik 2022

Rektori i Kolegjit AAB, Bujar Demjaha dhe prorektorja Venera Llunji zhvilluan një vizitë një javore në Francë, në regjionin Hauts-de-France, në kuadër të delegacionit që përfaqësonte Kosovën si shtet në fushën e arsimit dhe të kulturës.

Nën organizimin e Ambasadës së Francës në Kosovë dhe Aleancës Franceze në Prishtinë, gjatë kësaj vizite përfaqësuesit e AAB-së patën mundësinë të zhvillojnë vizita e takime në institucione të rëndësishme arsimore e kulturore, në qytetet Amiens, Cambrai, Torcoing, Lens, Lille, Graveline, Dunkerque, etj..

Gjatë takimit në Maison de la culture d’Amiens, Demjaha dhe Llunji diskutuan me udhëheqësit e këtij institucioni praktikat e projektit arsimor të Amiens, që ka për qëllim angazhimin e gjithë komunës ndaj moshave 0-25 vjeç bazuar në problematikat e fushat prioritare. Në Amiens ata u pritën edhe nga udhëheqësit e komunës, ku u diskutuan shumë tema interesante që lidhen me arsim dhe kulturë dhe u vunë kontaktet për bashkëpunim me qëllim të krijimit të rrjetit mes palësh.

Një mundësi tjetër bashkëpunimi, për Fakultetin e Arteve të Kolegjit AAB u krijua gjatë vizitës në Le Fresnoy-National Contemporary Art Studio, në qytetin Torcoing. Në takimin me kryetaren e Komunës së Tourcoing, rektori Demjaha foli për zhvillimin e Kolegjit AAB, rëndësinë e Kolegjit AAB për shoqërinë tonë në Kosovë dhe jo vetëm, kurse prorektorja Llunji takoi nënkryetaren për marrëdhënie ndërkombëtare dhe bashkëpunim duke ndarë përvojat dhe mundësitë për bashkëpunim për studentët tanë dhe ata të Tourcoing-ut.

Në vizitën e realizuar në Dunkerque, një qytet i sportit dhe rekreacionit me fokus te të rinjtë, u iniciuan edhe mundësitë e fillimit të bashkëpunimit të Kolegjit AAB sidomos në sport.

Gjatë kësaj vizite përfaqësuesit e AAB-së u pritën edhe në institucione e galeri të ndryshme si Lewarde Mining History centre dhe Louvre Lens, centrali bërthamor i Gravelines, Harbour Museum of Dankerque, FRAC Grand Large, Theatre de la Licorne, Opera e Lille, etj..

I gjithë organizimi i kësaj vizite dhe takimeve të shumta u organizuan nga Sh.S. Ambasadorja Butel dhe u realizua me ndihmën e atasheut Donato Giulianni, anëtarëve të stafit: Valon Ibraj dhe Fikrije Pllashniku, si dhe nga Aleanca Franceze, si rezultat i bashkëpunimit mes Kolegjit AAB dhe Ambasadës së Francës në Kosovë.

Share: