Kolegji AAB mbajti akademi në 85 vjetorin e lindjes së akademikut Rexhep Qosja

24 Qershor 2021

Kolegji AAB në bashkënpunim me Institutin Albanologjik të Prishtinës, organizuan një akademi me rastin e 85 vjetorit të lindjes së akademik Rexhep Qosjes.

Në këtë ceremoni ku morën pjesë figura të rëndësishme të institucioneve të Kosovës, intelektualë, studiues, profesorë, studentë e mysafirë të shumtë nga të gjitha trojet shqiptare, akademik Rexhep Qosja u vlerësua lart për kontributin e tij.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, z.Albin Kurti, tha se vepra e Qosjes është shumë segmentore.
“Urojmë akademikun Rexhep Qosja në ditëlindjen e tij, shkrimtarin studiuesin dhe intelektualin publik, emrin e përvitshëm të veprës së tij monumentale e cila tashmë është pasuri e gjithë shqiptarëve”, u shpreh Kurti.
Kurti theksoi se vepra e Rexhep Qosjes është e pa moshë, aktuale sot sikurse ka qenë në dekadat e shkuara. Ajo është burim frymëzimi për të rinjtë sot, sikurse ka qenë për të rinjtë e viteve ‘68, ’70-ta, ’80-ta, ’90-ta, që gjetën nëpër shkrimet e profesor Qosjes arsyen e motivimin për t’u ndjerë krenarë me identitetin shqiptar dhe për t’i rezistuar me trup e me mendje regjimeve shtypëse jugosllave e serbe.

Kryetari i Këshillit Drejtues të Kolegjit AAB, Lulzim Tafa pohoi se Qosja përgjatë viteve është figurë e pakrahasueshme.
”Nisur nga parimet e shoqërisë demokratike që karakterizojnë para së gjithash me shumësi mendimesh, Rexhep Qosja ka ditur të shprish mendimet dhe qëndrimet uniforme të cilat nganjëherë e në raste të caktuara shoqëria jonë i ka ndërtuar”, u shpreh Tafa.

Për veprimtarinë intelektuale e akademike të Rexhep Qosjes, folën edhe historiani nga Shqipëria, Pëllumb Xhufi, drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës, prof.dr. Hysen Matoshi, si dhe profesori Agim Vinca, të cilët çmuan kontributin e tij për më shumë se 5 dekada.

Vetë akademik Qosja shprehu mirënjohje për këtë ngjarje.
“Ky nderim që po më bëhet sot nga ju, më ka sjellë gëzim. Sepse po më bëhet nga një kolegj që është ndër më të mëdhenjtë e më të rëndësishmit në Republikën e Kosovës, që është njëkohësisht institucion i arsimit të lartë, i veprimtarive teatrore e kulturore, e i medias moderne, Kolegjit AAB, dhe nga një nga institutet më të rëndësishme e më të çmuara të studimeve shqiptare, Institutit Albanologjik të Prishtinës”, tha Qosja.

Rexhep Qosja, i lindur më 1936 në Vuthaj të Malit të Zi, është autor i mbi 30 veprave të zhanreve të ndryshme. Një kohë është marrë edhe me politikë aktive dhe ka qenë pjesë e delegacionit kosovar në konferencën e Rambujesë.

Share:

NJOFTIM: MASAT E REJA ANTI COVID_19 – SHTYHET AFATI I PROVIMEVE TË SHTATORIT

Të nderuar studentë dhe staf i Kolegjit AAB,

Ju njoftojmë se bazuar në vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës 01/35 të datës 12 shtator 2021, për aplikimin e masave të reja kundër Covid-19, Kolegji AAB ka marrë këtë vendim:

  • Shtyhet afati i provimeve të shtatorit deri më 27 shtator 2021
  • Në rast të lehtësimit të masave dhe përmirësimit të situatës me pandeminë, provimet do të vazhdojnë të mbahen nga data 27 shtator 2021
  • Orarin e ri të provimeve sipas planifikimit të ri do ta gjeni të publikuar në webfaqe dhe në e-service
  • Në rast se situata do të vazhdojë të jetë e rënduar edhe pas datës 26 shtator, provimet do të mbahen online për çfarë do të njoftoheni me kohë

Ndërkohë, ju lutemi të gjeni të bashkëngjitur vendimin e Qeverisë së Kosovës, për aplikimin e masave të reja anti-Covid_19 dhe ju lusim të zbatoni masat në përpikëri.

MASAT E REJA ANTI COVID_19