Kolegji AAB ka marrë pjesë në takimin zyrtar hapës (Kick-off Meeting) të projektit ndërkombëtar GREEN IMPACT, i cili u zhvillua në ambientet e Universitetit Bujqësor në Plovdiv, Bullgari.
Në këtë aktivitet, Kolegji AAB u përfaqësua nga Drejtoresha e Zyrës për Zhvillim të Projekteve, Ilirjana Geci, dhe Menaxheri Financiar, Fidan Qerimi, të cilët kontribuuan në diskutimet strategjike dhe planifikimin fillestar të zbatimit të projektit.
Takimi shërbeu si një platformë e rëndësishme për koordinimin ndërmjet partnerëve, prezantimin e paketave të punës, si dhe definimin e roleve, përgjegjësive dhe mekanizmave të menaxhimit dhe sigurimit të cilësisë së projektit. Gjatë sesioneve të ndryshme, pjesëmarrësit patën mundësinë të diskutojnë mbi planin e komunikimit, menaxhimin e rreziqeve, si dhe aktivitetet konkrete për muajt e parë të implementimit .
Përveç takimeve zyrtare, aktiviteti përfshiu edhe vizita studimore në kampusin e Universitetit Bujqësor në Plovdiv, ku u prezantuan praktikat më të mira në fushën e infrastrukturës së gjelbër dhe qëndrueshmërisë, si dhe punëtori të përbashkëta mbi kornizat e BE-së për zhvillim të qëndrueshëm në institucionet e arsimit të lartë.
Projekti GREEN IMPACT financohet nga Bashkimi Evropian, programi Erasmus +, dhe synon të forcojë kapacitetet e institucioneve të arsimit të lartë në drejtim të zhvillimit të qëndrueshëm, përmes integrimit të praktikave të gjelbra dhe kornizave evropiane në kontekstin institucional.
Pjesëmarrja e Kolegjit AAB në këtë projekt përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit dhe përforcimit të rolit të tij në promovimin e inovacionit dhe qëndrueshmërisë në arsimin e lartë.

