Kolegji AAB nderoi me Çmimin Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut, ish-kryeministrin e Italisë, Massimo D’Alema

6 Qershor 2018

Ish-kryeministri italian Massimo D’Alema: Jam krenar që edhe Italia ishte pjesë e çlirimit të Kosovës

Në një ceremoni solemne të mbajtur në Qendrën Mediale Universitare, Kolegji AAB nderoi me Çmimin Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut, ish-kryeministrin e Italisë, Massimo D’Alema, me motivacionin për kontributin e tij dhe shtetit italian për lirinë dhe ndërtimin e paqes në Kosovë.

Me këtë rast, rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa, tha se kontributi i ish-kryeministrit italian Massimo D’Alema për lirinë e Kosovës ishte i jashtëzakonshëm, dhe për këtë populli i Kosovës do të jetë gjithmonë mirënjohës ndaj tij.

“Tani e nëntëmbëdhjetë vjet më parë, shumë vende demokratike e liridashëse të botës, të tubuara rreth aleancës më të madhe ushtarake në botë, asaj të NATO-s, vendosen t’i dalin në ndihmë popullit të Kosovës, të cilit po i kanosej ekzistenca. Këto shtete dhe këto vende për ballë çdo parimi tjetër vendosën parimin humanitar, duke e vlerësuar të drejtën e popullit shqiptar të Kosovës për të jetuar në atdheun e vet. Këto vende vendosën të ndalojnë Millosheviqin, ushtrinë, policinë dhe forcat e tij paramilitare. Vendosen t’i ndalin vrasjet e popullatës civile në Kosovë, djegien dhe shkatërrimin e pronave, e mbi të gjitha, dëbimet masive të popullatës civile nga vendi i vet. Këto vende dhe këta popuj u bënë gardianë të lirisë, kur liria si vlerë sublime u nëpërkëmb aq shumë në Kosovë. Një prej këtyre vendeve liridashëse ishte Italia, Kryeministër i së cilës ishte pikërisht Z. Massimo D’Alema, kontributi i të cilit është i jashtëzakonshëm”, tha rektori Tafa.

Ai theksoi se prezenca në mesin e studentëve dhe profesorëve të Kolegjit AAB  e z. D’Alema, është e rëndësisë shumë të madhe, ngase sipas rektorit Tafa, emri i ish-kryeministri D’Alema, së bashku me emrat e presidentit Klinton, sekretares Ollbrajt, kryeministrit Bler, sekretarit Solana, gjeneralit Clark dhe e shumë liderëve të tjerë është e lidhur ngushtë me lirinë e Kosovës.

Në anën tjetër, ish-kryeministri i Italisë, Massimo D’Alema, falënderoi Kolegjin AAB dhe tha se, për të është një nder i madh që ka marrë këtë çmim dhe për mikëpritjen miqësore.

“Prej shumë vitesh nuk e kam vizituar Kosovën, ndërsa Kosova është shumë e rëndësishme në jetën time politike, jo vetëm të arsyeve të shumë viteve më parë, kur unë vendosa të përfshijë vendin tim Italinë për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore në një veprim ushtarak. Ishte një vendim dramatik, nuk ishte e thjeshtë, jam njeri paqësor dhe kurrë nuk i kam dhënë leksion Italisë që të përfshihet në luftë, por ende besoj se se ishte vendim i drejtë”, theksoi ish-kryeministri D’Alema.

Përkundër faktit që Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk kishte një rezolutë që parashihte një ndërhyrje ushtarake në Kosovë, D’Alema tha se mendonte se nuk mund të qëndronin pa vepruar, andaj edhe bënë luftë dhe vendosën paqën në Kosovë.

“Jam krenar që Italia mori pjesë në këtë veprim ushtarak, por në të njëjtën kohë ne dërguam misione humanitare në Shqipëri, duke i mbështetur miqtë tanë shqiptarë në mbrojtjen dhe në dhënien e ndihmës për qindra e mijëra refugjatë. Ishte pra në të njëjtën kohë edhe një veprim ushtarak dhe humanitar, solidaritet i organizuar jo vetëm nga shteti italian, por edhe nga organizatat e ndryshme që veprojnë në Itali”, u shpreh ish-kryeministri i Italisë, Massimo D’Alema.

Çmimi Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut i Kolegjit AAB, është njëri nga pesë Çmimet Ndërkombëtare që ndan Kolegji AAB për personalitete të shquara, e që janë: Çmimi Ndërkombëtar për Demokraci dhe Integrime, Çmimi Ndërkombëtar për të Arriturat Shkencore dhe Artistike, Çmimi Ndërkombëtar për Letërsi, Çmimi Ndërkombëtar për të Arriturat e Larta në Sport si dhe Çmimi Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut.

Me Çmimin për të Drejtat e Njeriut, përveç ish-kryeministrit italian, Massimo D’Alema, më parë Kolegji AAB ka nderuar edhe ambasadorin William Walker edhe ish-zëdhënësin e NATO-s, Jamie Shea.

Share: