Kolegji AAB nderon jetën dhe trashëgiminë e Kongresistit Eliot Engel

15 Maj 2026

Kolegji AAB organizoi një Tryezë Akademike përkujtimore kushtuar jetës dhe trashëgimisë së Eliot Engel, njërit ndër mbështetësit më të fuqishëm të Kosovës dhe interesave shqiptare në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (United States Congress).

Në hapje të aktivitetit, Rektori i Kolegjit, Dr.Sc. Blerim Olluri vlerësoi ndikimin e qëndrueshëm të Eliot Engel në marrëdhëniet Kosovë–Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe rolin e tij në mbështetjen e lirisë, zhvillimit demokratik dhe njohjes ndërkombëtare të Kosovës.

Prorektorja për marrëdhënie ndërkombëtare, Venera Llunji foli për angazhimin e vazhdueshëm të Kongresistit Engel në mbështetje të Kosovës brenda institucioneve amerikane gjatë dhe pas
luftës së viteve 1998–1999.

Në fjalën e tij, Dr. Flamur Gashi vlerësoi mbështetjen e palëkundur të Eliot Engel për popullin shqiptar dhe e cilësoi kontributin e tij si një kapitull të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.

Dr. Ramë Buja foli për rëndësinë historike të mbështetjes amerikane për Kosovën, duke theksuar se Eliot Engeli mbeti një nga zërat më të fuqishëm në mbrojtje të së drejtës së Kosovës për liri, paqe dhe shtetësi.

Në diskutim kontribuan edhe studentet Aorena Berisha dhe Bleonë Brestovci, të cilat theksuan rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe të kuptimit të rolit të aleatëve ndërkombëtarë në historinë moderne të Kosovës.

Pjesëmarrësit shprehën mirënjohje ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mbështetjen historike dhe të vazhdueshme ndaj Kosovës dhe mirëpritën iniciativën në Kongresin Amerikan për emërtimin e ndërtesës së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ( the Embassy of the United States in Prishtina ) me emrin e Kongresistit Eliot Engel, duke e cilësuar këtë si një vlerësim domethënës për trashëgiminë e tij të jashtëzakonshme.

Share: