Kolegji AAB sërish me partnerë prestigjiozë në një konferencë shkencore në Athinë

9 Qershor 2023
AAB College again with prestigious partners at a scientific conference in Athens

Fakulteti i Komunikimit Masiv i Kolegjit AAB sërish do të jetë bashkorganizator i një konference shkencore ndërkombëtare, e cila do të mbahet në Athinë.

Konferenca e 8-të për Komunikime dhe Menaxhim (ICCM2023) me titull “What will Communication be like? Future directions on global challenges and tensions” do të mbahet më 4-7 dhjetor të këtij viti, i organizuar nga Instituti i Komunikimeve të Greqisë, Universiteti i Aristotelit, Kolegji AAB, King Graduate School at Monroe College etj.

Sipas dekanit të Fakultetit të Komunikimit Masiv, Prof. Asoc. Dr. Hasan Saliu, kjo është hera e dytë që Fakulteti i Komunikimit Masiv ftohet të jetë partner në organizimin e konferencës shkencore ndërkombëtare në Athinë. “Para dy vjetësh ishim gjithashtu partner, krahas Universitetit të Aristotelit, Versajës, madje edhe Universitetit Paris Saclay (i 16-ti në botë), ndërsa Insituti i Komunikimeve i Greqisë ka qenë dy herë partner në konferencat tona në Prishtinë”.

Sipas prof. Saliut, Fakulteti i Komunikimit Masiv tashmë është shndërruar në një forum qendror i eventeve shkencore në rajon dhe ka një rrjet bashkëpunimesh shkencore më shumë dhe më aktiv se çdo universitet tjetër shqiptar në Ballkan. “Kemi sjellë në forumin tonë shkencor në Prishtinë shkollën më të vjetër të gazetarisë në botë, École Supérieure de Journalisme-Paris, pastaj Universitetin e Peruxhas, Krakovit, bashkortanizatorë konferencash me Universitetin e Firences, kemi pasur folës kryesorë nga Bologna, Sorbona etj”, tha ai.

Gjithashtu, Fakulteti i Komunikimit Masiv ka realizuar edhe disa konferenca shkencore me universitetet e rajonit, ndërsa me Universitetin e Tiranës realizon konferenca të përvitshme shkencore studentore.

Share: