Kolegjit AAB i dorëzohet stafeta për organizimin e Konferencës së 19-të Ndërkombëtare “Mirëqenia në Kohë Sfiduese”

13 Nëntor 2023
The baton for the organization of the 19th International Conference "Wellbeing in Challenging Times" is handed over to AAB College.

Në Universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë po mbahet konferenca e 18-të ndërkombëtare me temë “Kapitali shoqëror dhe sfera publike në shoqërinë bashkëkohore” me ç’rast po prezantohen rreth 200 punime nga studiues të ndryshëm ndërkombëtarë dhe rajonal.

Konferenca është organizuar nga Instituti Shqiptar i Sociologjisë në partneritet me universitete të tjera shqipfolëse në rajon, në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut.

Kolegji AAB është po ashtu partner në organizimin e Konferencës në fjalë. Në këtë konferencë, në takimin plenar foli prorektorja për marrëdhënie ndërkombëtare, Venera Llunji, e cila uroi në emër të rektorit të Kolegjit AAB Lulzim Tafa, këshillit drejtues dhe në emër të të gjithë personelit akademik organizatorin kryesor Institutin Shqiptar të Sociologjisë, të udhëhequr nga Lekë Sokoli, rektorin dhe stafin akademik të Universitetit “Ismail Qemali” për organizmin dhe mikpritjen e tyre, si dhe pjesëmarrësit e tjerë të cilët përmes punimeve dhe temave të ndryshme do ta japin kontributin e tyre në shkencë dhe në fushën e akademisë në përgjithësi, sepse siç tha ndër të tjera prorektorja Llunji në ngjarje të tilla kërkuesit akademikë e shkencorë takohen me qëllim të shkëmbimit të përvojës  dhe gjetjeve në hulumtime të ndryshme.

Në këtë konferencë ishte edhe prorektorja për zhvillim akademik Furtuna Mehmeti e cila u takua me shumë përfaqësues të universiteteve pjesëmarrëse.

Ajo çfarë e bëri të veçantë sesionin plenar ishte dorëzimi i stafetës nga Instituti Shqiptar i Sociologjisë dhe Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë te Kolegji AAB, meqë  Kolegji AAB do të jetë organizatori dhe mikpritësi i konferencës së radhës, që do të mbahet me 15-16 nëntor të vitit 2024 që do të ketë temë bosht punën, mirëqenien dhe sigurinë në kohë sfiduese prandaj edhe do të titullohet “Mirëqenia në Kohë Sfiduese”.

Share: