Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, mbajti sot një ligjëratë për studentët e Kolegjit AAB

7 Dhjetor 2018

Seria e debateve për qeverisjen lokale në komunat e Kosovës, ka vazhduar sot me kryetarin e Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, në kampusin e Kolegjit AAB në Prishtinë.

Kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, në këtë ligjëratë foli për formimin e ushtrisë së Kosovës dhe tha se është vendosur data përfundimtare për krijimin e ushtrisë.

“Ushtria do të bëhet me 14-tin, bëhuni gati, kemi me festu, të gjitha gjërat munden me ndryshu por ushtria do te bëhet me këtë datë, është vendim i prerë, do të lexohen ligjet në parlament, në leximin e dytë, në leximin e parë kanë kaluar tash vetëm i dyti, pra, ushtria nuk është për të sulmuar dikë por për të mbrojtur vendin tonë”, u shpreh Bali Muharremaj.

Ndërsa sa i përket taksës së vendosur ndaj produkteve të Serbisë, kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, tha se ky vendim nuk do të ndryshojë kursesi.

”Unë jam kryetar i të gjithëve pa dallim partie politike dhe pa dallim feje, por, është vonë, është dashur shumë më heret me me vendosë taksën, por, unë ju garantoj së kjo taksë deri sa nuk bëhet pranimi i shtetit të Kosovës nuk do të largohet. Kjo qeveri mundet me shku në shtëpi dhe të vi një tjetër qeveri, por ky vendim që është marrë nuk do të ndryshojë”, u shpreh kryetari Muharremaj.

Tutje në këtë ligjëratë, kryetari Muharremaj foli edhe për të arriturat në fushën e arsimit në këtë komunë ku tha se ka rënë dukshëm numri i mungesave nga studentët dhe profesorët, si dhe përmendi marrëveshjen me Kolegjin AAB për studentët që duan të studiojnë këtu.

“Do ta rriti numrin e bursave, bisedova me rektorin e Kolegjit AAB, Lulzim Tafën, që ta bëjmë një marrëveshje për vitin e ardhshëm, që studentët e Suharekës dhe studentët që nuk kanë mundësi për t’u regjistruar dhe që duan të vinë në këtë universitet do ta merr obligim komuna që të ja u mundësoj atyre që nuk kanë kushte dhe që duan të mësojnë, të vinë për të studiuar këtu”, u shpreh Bali Muharremaj.

Ai, foli edhe për të arriturat në shëndetësi dhe për hapjen e katër ambullantave dhe si ka arritur si komunë të siguroj ekipe mjekësore për ti vizituar në shtëpi të moshuarit.

“Kemi ekip të mjekëve familjar, të cilët shkojnë nëpër familje dhe japin ndihmën e parë për njerëzit e moshuar, është mjeku dhe motra medicinale dhe vazhdimisht shkojnë kudo”, u shpreh i pari i Suharekës.

Në këtë debat pati edhe shumë pyetje nga studentët e Kolegjit AAB, të cilave iu përgjigj kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj.

 

Share: