Më 12 qershor 2025, në Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB u mbajt ceremonia e lansimit të projektit HUMLIT – Humour Literacy, një projekt ndërkombëtar që synon të studiojë mënyrën se si prodhohet, qarkullon dhe pranohet humori në sferat publike të Evropës. Ky aktivitet shënoi një fillim të veçantë për këtë nismë hulumtuese të financuar nga programi HORIZON MSCA, ku AAB është njëri nga 23 partnerët nga e gjithë Evropa.
Ngjarja mblodhi një audiencë të larmishme duke përfshirë akademikë, artistë, komedianë, studentë dhe mysafirë të tjerë që ndanë interesin për rolin e humorit në shoqëri. Përveç prezantimit të objektivave dhe aktiviteteve kyçe të projektit HUMLIT, të pranishmit patën mundësinë të shijojnë një atmosferë argëtuese me paraqitje të shkurtëra nga aktorët e mirënjohur të filmit, teatrit dhe serialit, Valmir Krasniqi dhe Arta Lahu, si dhe Drejtori Ekzekutiv i Coolnfresh Magazine, Fisnik Çerkini.
Projekti HUMLIT synon të sjellë perspektiva të reja mbi ndikimin kulturor dhe social të humorit në jetën publike evropiane dhe përfshirja e Kolegjit AAB në këtë konsorcium shënon një hap të rëndësishëm në bashkëpunimet shkencore ndërkombëtare.