Mbahet tryezë diskutimi në kuadër të kampanjës sensibilizuese “16 ditët e aktivizimit kundër dhunës në baza gjinore”

7 Dhjetor 2023
A panel discussion is held within the awareness campaign "16 days of activism against gender-based violence"

Me një panel me shumë të ftuar duke filluar nga ambasadori i OSBE në Kosovë Michael Davenport, zv/ministri i Drejtësisë Vigan Qorrolli, dekani i Fakultetit Juridik në Kolegjin AAB Mentor Lecaj dhe Adelina Berisha nga OJQ “Kosovo Women’s Network”, është mbajtur tryezë diskutimi në kuadër të kampanjës sensibilizuese “16 ditët e aktivizimit kundër dhunës në baza gjinore” në Kolegjin AAB me temën “Istanbul Convention: “What is the role of the law faculties in transforming commitment into reality?”

Prorektorja e Kolegjit AAB, Venera Llunji, në cilësinë e moderatores hapi këtë tryezë duke theksuar rëndësinë e pakrahasueshme që ka respektimi i të drejtave të njeriut, por në veçanti në raste dhune të çfarëdo lloji.

Ambasadori i OSBE në Kosovë, Michael Davenport, për studentët e pranishëm të cilët ishin nga Fakulteti Juridik, tha se roli i tyre në vendimet që ndryshojnë shoqërinë dhe ndajnë drejtësinë vjen në pah duke filluar nga rastet më të vogla. Tutje Davenport u shpreh se janë shqetësuese statistikat e dhunës dhe vrasjeve në baza gjinore dhe për këtë duhet të ndërmerren hapa që dalin çdoherë nga organet e drejtësisë.

Zv/ministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, cilësoi institucionet arsimore si vendet më me ndikim të vlerave shoqërore, duke thënë se barrën kryesore nga gjithë të tjerët e kanë juristët e ardhshëm për të bartur përvojat dhe vlerat e tyre në mënyrë sociologjike dhe kulturore në shoqëri.

Dekani i Fakultetit Juridik në Kolegjin AAB, Mentor Lecaj, foli për punën që zhvillon ky fakultet, duke nisur nga ngjarjet e organizuara që në spikamë kanë të drejtat e njeriut, e deri tek lëndët mësimore në të cilat çdoherë inkorporohen këto çështje të ndjeshme për shoqërinë. Gjithashtu tha se debatet që flasin për barazinë gjinore ishin dhe do jenë traditë e këtij fakulteti.

Adelina Berisha nga OJQ “Kosovo Women’s Network” përmendi me shqetësim rastet e fundit të dhunës dhe vrasjeve që kanë ndodhur në vend, duke ngritur alarmin se secili hap që bëhet nga sistemi i drejtësisë përbën një rëndësi të veçantë dhe përfshihen në jetërat e njerëzve dhe mirëqenien e tyre.

Nën moderimin e profesoreshës së Fakultetit Juridik Ganimete Ismajli, përveç folësve kryesorë në këtë tryezë Kolegji AAB u përfaqësua me një analizë studentore nga Rita Imeri dhe Leandrit Llunji, të cilët paraqitën statistika, krahasime dhe komente rreth nenit 34 të Konventës së Stambollit në lidhje me përndjekjen (stalking).

Të pranishme në këtë tryezë ishin edhe Biljana Nastovska këshilltare gjinore në Misionin e OSBE në Kosovë, e cila foli për Konventën e Stambollit si akti i parë juridik ndërkombëtar gjithëpërfshirës për luftimin e dhunës ndaj grave, bashkë me Rachel Halfpap që u fokusua në praktikat më të mira ndërkombëtare në sigurimin e aksesit gjinor në klinikat e drejtësisë.

Në fund pati debat dhe diskutime mes studentëve dhe të ftuarve bashkë me pyetjet e parashtruara rreth kësaj teme.

Share: