Me filmin e studentes Diana Gjinovci, filluan “Ditët e Fakultetit të Komunikimit Masiv”

Me shfaqjen e filmit dokumentar, të producentes Diana Gjinovci, studente e programit Produksion, sot në Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB, filluan aktivitetet në kuadër të Ditëve të Fakultetit të Komunikimit Masiv. 

Diana në këtë dokumentar ka punuar në rolin e producentes, ndërsa tregon se puna gjatë realizimit të këtij dokumentari nuk ishte e lehtë, mirëpo, mësimet dhe përvojat e marra gjatë studimeve në drejtimin e Produksionit e kanë ndihmuar shumë. “Puna në këtë dokumentar nuk ishte e lehtë, sepse për të bërë një dokumentar për një figurë aq të madhe duhet të punosh shumë. Z.Ullmar ishte një person i cili na ndihmoi shumë në këtë projekt, gjithashtu ekipi ishte shumë bashkëpunues. Dua të falënderoj Kolegjin AAB, sepse studimet gjatë kësaj periudhe ishin një përgatitje e madhe profesionale për mua”, u shpreh ajo.

Me këtë rast dekani i Fakultetit të Komunikimit Masiv, Resul Sinani shtoi se gjatë shfaqjes së këtij dokumentari studentët patën mundësi të njohin figurën e Ullmar Qvick, për të cilin sipas tij duhet të këtë njohuri çdo student i gazetarisë. “Shfaqja e dokumentarit iu dha mundësinë studentëve që të shohin punën e koleges së tyre, që ka qenë pjesë e ekipit të dokumentarit, por gjithashtu i njohu ata me një personalitet shumë të rëndësishëm nga fusha e albanologjisë, i cili tërë jetën ia ka kushtuar kulturës, gjuhës dhe kombit shqiptar” tha Sinani.

Ndërsa, prodekanja Burbuqe Berisha tha se studentja e drejtimit të Produksionit, Diana Gjinovci, ka bërë një punë tejet të sukseshme në fillimet e punës së saj profesionale sa i përket realizimit të filmit. 
Edhe studentët e Komunikimit Masiv që ishin pjesë gjatë shfaqjes së këtij dokumentari përgëzuan kolegen e tyre Diana Gjinovci për punën e bërë në realizimin e këtij dokumentari.

INSTITUTI AAB
APLIKO