Sot në kampusin e Kolegjit AAB në Prishtinë u përurua objekti i ri universitar- i shtati me radhë i këtij institucioni, njëherëshobjekti më modern universitar jo vetëm në Kosovë, por mbase në rajon, me një sipërfaqe prej 15 mijë metrash katrorë, ku shiritin inaugurues, para shumë të pranishmëve e kanë prerë, rektori i Kolegjit AAB prof. dr. Lulzim Tafa, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, prof. dr. Arsim Bajrami dhe studentja e AAB-së, kampione botërore xhudistja Majlinda Kelmendi.
Rektori i AAB-së, prof. dr. Lulzim Tafa, duke folur para të pranishmëve, përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të atyre ndërkombëtare, profesorë dhe studentë të AAB-së, dhe të ftuar të tjerë tha se ky objekt u dedikohet studentëve, stafit, si dhe gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.
“Këtë objekt me mbi 15 mijë metra katrorë, që brenda kampusit tonë do të njihet si AAB-7, ne si AAB po ia shtojmë gjashtë ndërtesave të tjera, të gjitha të ndërtuara me destinim të vetëm aktivitetin arsimor për nevojat e studentëve të shumtë që ka ky institucion”, tha Tafa. Rektori Tafa, shtoi se përveç 40 sallave të mësimit, laboratoreve, ambienteve relaksuese, palestrës sportive, ky objekt do të shndërrohet edhe në qendrën kryesore kulturore të vendit me teatrin profesionist më të madhin në Kosovë me 350 ulëse, kinemanë, galerinë dhe objektet e tjera përcjellëse. “Ne si AAB mbështesim dhe përkrahim pa rezervë punën e Ministrisë së Arsimit dhe ministrit Bajrami në këtë plan, dhe sidomos përkushtimin e Ministrit për barazi të plotë mes sektorit publik e privat të arsimit, sepse këta sektorë dallojnë për nga themeluesi, por nuk dallojnë kurrë nga misioni i tyre – që është edukimi dhe arsimimi i studentëve”, tha rektori Tafa.
Ndërkaq, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, prof. dr. Arsim Bajrami ka thënë se nuk ka ngjarje më të rëndësishme për arsimin e lartë sesa të prezantosh në promovimin e një objekti impozant, një objekti që plotëson të gjitha standardet evropiane që do të mundësojë një arsimim cilësor.
“Të gjithë ju miqtë e AAB-së, duhet të ndiheni krenar që sot po marrim pjesë në promovimin e kësaj godine, e cila do t’ i mundësojë studentëve tanë një mësimnxënie cilësore, një mësimnxënie të avansuar, një mësimnxënie të shekullit XXI. Ne jemi jashtëzakonisht të kënaqur si Qeveri që në Republikën e Kosovës, po promovojmë standarde të tilla të objekteve moderne”, tha ministri Bajrami.
Ai tha se se Kolegji AAB është një kolegj prestigjioz që ka ndërtuar arsimin e lartë privat në Kosovë.
“Një institucion i cili paraqet një konkurrencë dinjitoze të arsimit publik. Qeveria e Kosovës do të zhvillojë politikat e barazisë së plotë të sektorit publik dhe sektorit privat dhe ne e vlerësojmë rritjen e këtij institucioni, si një instrument i rëndësishëm i ngritjes së cilësisë në universitetet tona publike. Jemi të sigurt se gjeneratat që ka dhënë AAB, kanë transformuar mentalitetin e qeverisjes në Republikën e Kosovës dhe jemi të sigurtë që standardet e cilësisë që ka ndërtuar ky institucion janë modele që duhet të pretendohen në Republikën e Kosovës, sepse ne kemi nevojë për universitet të forta, për kolegje të forta, kemi nevojë të ndërtojë standarde të larta të mësimdhënies dhe të cilësisë dhe ky objekt impozant që sot po promovohet, ofron të gjitha kushtet moderne për studentët, për profesorët, për një mësimdhënie interaktive, për një mësimdhënie moderne dhe të gjithë ndihemi krenarë me këtë mundësi”, tha ministri Bajrami.
“Edhe njëherë të gjithë juve studentë, të gjithë mësimdhënësve dhe juve Rektor, urime dhe shumë suksese!”
Me rastin e këtij solemniteti për realizimin e këtij projekti madhor u falënderua projektuesi dhe arkitekti Driton Tefiku dhe mbikëqyrësi Driton Ibrahimi, po ashtu dhe të gjithë punëkryesit e të të gjitha kompanive vendore, të cilat i përfunduan punimet në afat rekord.
Driton Tefiku, arkitekti i objektit, ka thënë se “Madhështia e objektit është se ky mund të krahasohet me kriteret, kushtet dhe hapësirat menaxhuese të universiteteve të njohura botërore, çka do të thotë se objekti i ri ofron komoditet të lartë”. Objekti i ri i AAB-së, është një kryevepër e inxhinierisë moderne, si për nga aspekti vizual ashtu edhe për nga investimi në materialin ndërtimor. Kjo ndërtesë e re e kampusit të Prishtinës, paraqet një realizim ndërtimor me stil dhe dizajn unik e të avancuar.
Ceremonia është përcjellë me një program artistik, ndërsa madhështinë ia kanë shtuar edhe mysafirët e tjerë të shumtë.