Ndërmarrësi Drin Berisha, ish student i AAB-së, diskutoi për rrugëtimin e tij të suksesshëm në biznes

12 Nëntor 2021

Ndërmarrësi Drin Berisha nga kompania “Kema Pak” nga Ferizaj, ishte i ftuari i radhës në diskutimin me studentët e Kolegjit AAB në degën e Ferizajt.

Në këtë diskutim të zhvilluar në kuadër të aktiviteteve të Javës Globale të Ndërmarrësisë, ndërmarrësi Drin Berisha, tregoi për fillimet e idesë së tij për krijimin e një ndërmarrje të tillë të paketimit.

Ai idenë e themelimit e arsyetoi me faktin që në Kosovë nuk ka një ndërmarrje të tillë të paketimit dhe gjithmonë paketimet e produkteve janë importuar nga vendet e rajonit, duke pasur kosto më të lartë të shitjes tek bizneset e tjera të cilat janë shfrytëzueses të paketimeve.

Ajo që më së shumti e ka inspiruar Drinin për të iniciuar këtë ide ishte edhe krijimi i vendeve të reja të punës, duke u dhënë mundësi të rinjve që njohuritë e tyre të fituara gjatë shkollimit t’ i implementojnë në praktikë.

Berisha foli edhe për sfidat me të cilat është përballur si kompani prodhuese, ku ndër të tjera përmendi edhe pandeminë globale Covid-19, e cila vështirësoi edhe procedurat doganore gjë që ndikoni në performancën e kompanisë.

Megjithatë, sipas tij, ata po punojnë që edhe lëndën e parë ta sigurojnë brenda vendit, duke analizuar mundësinë e riciklimit të letrës që do të ishte ndihmesë për të ulur nevojën për import të lëndës së parë.

Drini si një ish student i Kolegjit AAB, tregoi edhe një herë që nga Kolegji AAB dalin kuadro të përgatitura për tregun e punës dhe shumë të suksesshme, andaj ai për fund pati një mesazh motivues për studentët duke thënë: “Asnjëherë mos u dorëzoni pavarësisht se me çfarë vështirësish përballeni, por punoni shumë për të realizuar ëndrrat tuaja”

Share: