Në AAB u promovua libri “Të vdekurit e gjallë” i autorit Ibrahim Kadriu

Në kuadër të programit të promovimeve të titujve të rinj në Panairin Vjeshtor të Librit AAB 2018, sot u promovua edhe romani “Të vdekurit e gjallë” i autorit Ibrahim Kadriu, botim i Shtëpisë Botuese KOHA.

Sipas shkrimtarit dhe akademikut Mehmet Halimi i cili ishte pjesëmarrës në promovim, ky roman u cilësua si një përmbajtje e pashkruar më parë nga shkrimtarët e tjerë në Kosovë.

“Romanet e këtij llojit thuajse nuk janë shkruar nga shkrimtarët e tjerë në Kosovë. Ky autor na paraqitet aq produktiv sa që ka arritur të botojë një numër aq të madh veprash sa ka edhe vite në jetë. Në romanin e Ibrahim Kadriut “Të vdekurit e gjallë”, çdo rrëfim, ngjarje apo ndodhi ngjallë kurreshtje dhe interesim të veçantë tek lexuesi” shtoi Halimi.

Duke folur për përmbajtjen e librit dhe kohën e realizimit të tij, autori i librit “Të vdekurit e gjallë”, Ibrahim Kadriu, shprehu mirënjohje të ngrohta për Kolegjin AAB, i cili ishte nikoqir i promovimit të librit të tij më të ri.

Në rreth 280 faqe të ndara në 20 kapituj, Kadriu me “Të vdekurit e gjallë”, botuar nga Botimet KOHA, sjell fatin e tre personazheve duke i lidhur edhe me fatin e historisë dhe etnisë shqiptare.

Të gjithë ata që dëshirojnë ta kenë librin e autorit Kadriu në bibliotekën e tyre, mund ta vizitojnë Panairin Vjeshtor AAB 2018 deri ditën e diel dhe ta gjejnë romanin tek stenda e Shtëpisë Botuese KOHA.

 

INSTITUTI AAB
APLIKO