Në Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB, është mbajtur promovimi i librit “Pavarësia e Kosovës, Konfederata Panshqiptare ‘Vatra’ dhe Gazeta ‘Dielli’ (1981-2008)”, të autorit Roland Gjini.
Ky aktivitet mblodhi profesorë, studiues, studentë dhe dashamirë të historisë së publicistikës shqiptare, duke krijuar një atmosferë diskutimi dhe reflektimi rreth proceseve historike të Kosovës.
Promovimi u udhëhoq nga profesori Flamur Gashi, ndërsa për librin folën prof. Ramë Buja, Mustafa Kadazdej dhe autori Roland Gjini.
Ramë Buja, gjatë fjalës së tij, vlerësoi librin si një kontribut të rëndësishëm për historigrafinë shqiptare, duke theksuar rolin e Konfederatës Panshqiptare “Vatra” dhe gazetës “Dielli” në mbështetjen e proceseve politike dhe kombëtare të Kosovës.
Ndërkaq, Mustafa Kadazdej foli për rëndësinë e trajtimit të ngjarjeve historike dhe dokumentimit të tyre përmes botimeve shkencore dhe publicistike, duke e cilësuar librin si një vepër me vlerë për studiuesit dhe lexuesit.
Autori Roland Gjini falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe vlerësimet për librin, duke theksuar se kjo vepër synon të sjellë dëshmi dhe fakte mbi rrugëtimin e Kosovës drejt pavarësisë.
Promovimi u mbyll me diskutime të hapura me të pranishmit, duke e kthyer aktivitetin në një hapësirë bashkëbisedimi dhe shkëmbimi idesh rreth historisë dhe kujtesës kolektive shqiptare.



