Një grup studentësh i Universitetit Luiss nga Italia vizituan Kolegjin AAB

Përmes KFOR-it italian në Kosovë, një grup i studentëve i Universitetit Luiss nga Italia, zhvilluan një vizitë në Kolegjin AAB.

Me këtë rast, gjatë një tryeze në Qendrën Mediale të Kolegjit AAB, zv/rektori Shmesedin Vehapi, u uroi mirëseardhje studentëve mysafirë, të cilët edhe i njoftoi me AAB-në, me kushtet që ofron ky kolegj, me hapësirat, me stafin akademik dhe atë administrativ si dhe me programet e studimit.

Në anën tjetër, koloneli i KFOR-it italian, Giuseppe Prete, në fjalën e tij tha se kjo vizitë e studentëve nga Italia në Kolegjin AAB do të shërbejë për shkëmbim të përvojave dhe njohje të kulturave të studentëve të të dyja vendeve. Ai tha se studentët e të dyja shteteve mund të mësojnë shumë prej njeri-tjetrit, pasi që sipas tij, kjo është shancë e mirë që të takohen liderët e së ardhmes së Italisë me ata të Kosovës.

Ndërsa Flaka Vitaku, kryetare e Unionit të Studentëve të Kolegjit AAB, në fjalën e saj u tregoi kolegëve nga Italia një historik të shkurtër rreth themelimit të këtij unioni, për strukturën organizative, bashkëpunimet si dhe aktivitetet e ndryshme studentore të cilat organizohen nga ky union.

Fjalë rasti në këtë takim mbajti edhe Krenare Çerkini, kryetare e Unionit të Studentëve të Kosovës, e cila njoftoi studentët mysafirë për këtë organizatë studentore, për organizimin e saj si dhe aktivitetet dhe vizitat studimore brenda dhe jashtë Kosovës.

Në fund të këtij takimi, pati edhe shumë diskutime si dhe shkëmbime përvojash mes studentëve të Kolegjit AAB dhe atyre të Universitetit Luiss nga Italia.

Njëkohësit, kjo ishte një mundësi e mirë si për studentët e Kolegjit AAB ashtu dhe për ata nga Italia, pasi që patën mundësinë që për së afërmi të njoftohen se si zhvillohen studimet në të dyja vendet.

Studentët e Universitetit Luiss ishin të impresionuar me Kolegjin AAB pas vizitës së tyre edhe në teatrin modern, sallat e mësimit, laboratorët, bibliotekën e pasur më shumë tituj, palestrën sportive, si dhe ambientet e tjera relaksuese.

INSTITUTI AAB
APLIKO