Kolegji AAB ka përmbyllur me sukses aktivitetin tradicional “Java e Sportit”, të organizuar nga Unioni Studentor në bashkëpunim me Fakultetin e Kulturës Fizike dhe Sportit, duke mbledhur qindra studentë nga të gjitha fakultetet në një atmosferë dinamike sportive, garuese dhe bashkëpunuese.
Ky aktivitet tashmë përfaqëson një nga ngjarjet më të rëndësishme të jetës studentore në AAB, duke promovuar sportin universitar, stilin e shëndetshëm të jetesës, punën ekipore dhe aktivizimin studentor në kuadër të komunitetit akademik.
Gjatë javës u zhvilluan gara në disiplina të ndryshme sportive, përfshirë futsallin, volejbollin, basketbollin dhe pingpongun, me pjesëmarrjen e mbi 250 studentëve nga programe të ndryshme studimore.
Edhe këtë vit, studentët e Fakultetit të Kulturës Fizike dhe Sportit treguan performancë të lartë sportive, duke u shpallur fitues në disa nga disiplinat kryesore të turneut. Në ceremoninë përmbyllëse u ndanë kupa, medalje, mirënjohje dhe çmime për ekipet dhe studentët fitues.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve u udhëhoq nga Dekani i Fakultetit të Kulturës Fizike dhe Sportit, Fatmir Pireva, koordinatori për cilësi Besim Gashi dhe përfaqësuesja e Unionit Studentor, Doresa Berisha.
Përmes aktiviteteve të tilla, Kolegji AAB vazhdon të promovojë zhvillimin e gjithanshëm të studentëve, kulturën sportive universitare dhe rëndësinë e aktiviteteve jashtëkurrikulare në ndërtimin e një komuniteti aktiv dhe bashkëkohor akademik.



