Përmbyllen suksesshëm aktivitetet e shënimit të  Javës Botërore të Kreativitetit dhe Inovacionit, në Kolegjin AAB

19 Prill 2019

Fakulteti Ekonomik i Kolegjit AAB gjatë gjithë javës në fokus ka pasur organizimin e ngjarjeve të ndryshme në kuadër të Javës Botërore të Kreativitetit dhe Inovacionit. Në këto aktivitete kanë qenë të përfshirë studentët, personalitete të rëndësishme nga fusha e ekonomisë në Kosovë e stafi akademik i Kolegjit AAB.

Në tryezën përmbyllëse të mbajtur sot në Qendrën Mediale në Kolegjin AAB, me temë “Roli i inovacioneve në zhvillimin ekonomik të Kosovës”, zv.rektori Shemsedin Vehapi tha se iniciativat e tilla janë pjesë përbërëse e punës së përditshme në Kolegjin AAB, dhe jo vetëm nga Fakulteti Ekonomik, por, nga të gjithë studentët që në mënyra të ndryshme përpiqen të gjejnë forma inovative brenda specifikave të programeve studimore.

I pranishëm në këtë tryezë ishte edhe Ministri i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj. Ai foli për rëndësinë e përdorimit të teknologjisë si dhe sigurinë në përdorimin e saj, duke theksuar edhe përfitimet e shoqërisë kosovare nga përdorimi i inovacionit në shërbim të zhvillimit ekonomik. Ai tutje shtoi se të rinjtë e Kosovës çdo ditë po dëshmojnë se janë lider në fushën e inovacionit.

“Shoqëria kosovare po lëviz shumë më shpejt se sa ajo e vendeve tjera. Në fushën e inovacioneve gjenerata e re e jona do të jetë lidere në rajon”, tha Beqaj.

Ndërsa, drejtori i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, duke folur për rëndësinë që ka inovacioni, tha se suksesi dhe zhvillimi ekonomik varet shumë nga krijimi i ideve dhe koncepteve të reja të punës dhe se kjo është veçanërisht e rëndësishme në tregun e sotëm ku inovacioni është cilësuar si suksesi i çdo biznesi.

Gjatë Javës Botërore të Inovacionit dhe Kreativitetit të organizuar nga Kolegji AAB, studentët patën mundësinë të vizitojnë edhe kompani të ndryshme inovative, dhe të jenë pjesë e ligjëratave me personalitete të ndryshme si dhe të ligjërojnë para nxënësve të nivelit të mesëm.

Edhe dekani i Fakultetit Ekonomik, prof.ass.dr.Shaip Bytyçi, falënderoi të gjithë stafin i cili u angazhua për të realizuar aktivitetet e shumta në të tre degët e Kolegjit AAB, në Prishtinë, Ferizaj e Gjakovë.

Share: