Prof. Ramón Sanguino Galván dhe Prof. Ascensión Barroso vizitojnë AAB College në kuadër të shkëmbimit të stafit akademik

16 Qershor 2025

Kolegji AAB e mirëpriti këtë javë Prof. Ramón Sanguino Galván dhe Prof. Ascensión Barroso nga Universiteti Extremadura në Spanjë, në kuadër të programit të shkëmbimit të stafit Erasmus+. Kjo vizitë u realizua në bazë të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërinstitucional mes dy institucioneve dhe kishte për qëllim fuqizimin e partneritetit akademik, shkëmbimin e përvojave dhe zgjerimin e mundësive për bashkëpunim ndërkombëtar.

Gjatë vizitës së tyre, profesorët spanjollë u pritën në takim nga Rektori i AAB College, Dr.Sc. Blerim Olluri, me të cilin diskutuan për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve në fusha të ndryshme akademike dhe kërkimore.

Profesorët u shoqëruan gjatë gjithë qëndrimit nga Prorektorja për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Prof. Dr. Venera Llunji, e cila koordinoi vizitën dhe organizoi takime me dekanët e të gjitha fakulteteve të AAB College. Në këto takime u diskutuan tema si: Mundësitë për shkëmbim të studentëve dhe stafit në kuadër të Erasmus+; Publikime të përbashkëta shkencore dhe bashkëpunime në hulumtime; Konferenca të përbashkëta ndërkombëtare dhe seminare akademike; Zhvillimi i projekteve të përbashkëta të financuara nga Bashkimi Evropian.

Profesorët Sanguino dhe Barroso ju prezantuan përfaqësuesve të Kolegjit AAB një video promovuese dhe një prezantim për Universitetin  Extremadura, duke ndarë informacione për programet akademike, kampuset, aktivitetet kërkimore dhe trashëgiminë kulturore dhe historike të rajonit të Extremadurës.

Gjatë qëndrimit të tyre, ata morën pjesë edhe në ngjarjen e rëndësishme të lansimit të projektit të ri të AAB College – HUMLIT, një projekt inovativ që ka siguruar mbështetjen financiare nga fondet e Bashkimit Evropian

Vizita e përfaqësuesve nga Universiteti i Extremadurës u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit akademik ndërkombëtar, me qëllim krijimin e mundësive të reja për studentët dhe stafin e të dy institucioneve.

Share: