Në kuadër të edicionit të shtatë të Prishtina Arts and Architecture Festival – PAAF 2026, Kolegji AAB ka mirëpritur profesoreshën ndërkombëtare Bernadette Coughlan, e cila zhvilloi një workshop akademik dhe kreativ me studentët e Fakultetit të Arteve, drejtimi Modë dhe Dizajn.
Ligjërata me temën “Threads of Identity: Culture, Memory, and Meaning in Fashion” trajtoi ndikimin e kulturës, kujtesës kolektive dhe identitetit në modën bashkëkohore, duke ofruar perspektiva ndërkombëtare mbi zhvillimet moderne në industrinë e modës dhe dizajnit.
Përmes diskutimeve interaktive dhe analizave profesionale, studentët patën mundësinë të eksplorojnë mënyrën se si moda shërben si formë komunikimi kulturor dhe artistik në shoqërinë moderne. Workshop-i gjithashtu nxiti shkëmbimin e ideve dhe përvojave ndërmjet studentëve dhe ekspertëve ndërkombëtarë të fushës.
Aktiviteti u realizua në kuadër të lëndës “History of Costume and Fashion”, nën udhëheqjen e profesoreshës Riona Sylejmani, duke kontribuar në avancimin e bashkëpunimit akademik ndërkombëtar dhe në pasurimin e përvojës praktike të studentëve.
PAAF 2026 vazhdon të sjellë në Kolegjin AAB artistë, profesorë dhe profesionistë ndërkombëtarë, duke e shndërruar festivalin në një platformë të rëndësishme për artin, arkitekturën, dizajnin dhe inovacionin kreativ në Kosovë dhe rajon.



