Në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Mësimdhënies të organizuar nga Universiteti Romano-Amerikan (RAU) në Bukuresht, profesorët e Kolegjit AAB, Florijeta Hulaj, Eriona Ajvazi dhe Egzonis Hajdari, mbajtën ligjërata para studentëve ndërkombëtarë të universiteti RAU në kuadër të programit Erasmus+.
Përmes temave të trajtuara dhe diskutimeve të zhvilluara, ata promovuan ekspertizën akademike të Kolegjit AAB, si dhe kontribuan në shkëmbimin e njohurive dhe përvojave në një mjedis ndërkombëtar dhe ndërkulturor.
Profesoreshë Florijeta Hulaj nga Fakulteti i Shkencave Kompjuterike mbajti ligjërata për studentët Erasmus mbi mbrojtjen e të dhënave personale dhe privatësinë digjitale. Në kuadër të këtyre ligjëratave u diskutua mbi mënyrën se si të dhënat personale mblidhen, përdoren dhe mbrohen në jetën e përditshme, duke trajtuar tema si GDPR-ja, siguria online dhe rëndësia e mbrojtjes së identitetit digjital në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur. Ligjërata nxiti diskutime interesante dhe angazhim aktiv nga studentët pjesëmarrës.
Gjithashtu, profesoreshe e Gjuhës Angleze Eriona Ajvazi ligjëroi mbi temën “Language, Identity and Communication”, ku prezantoi mbi ndërkombëtarizmin e Kolegjit AAB, peizazhin gjuhësor të Kosovës dhe rëndësinë e komunikimit ndërkulturor dhe gjuhës angleze në kontekstin e Kosovës. Ligjërata krijoi hapësire interaktive me studentët mbi lidhjen mes gjuhës, identitetit dhe shoqërisë, duke promovuar njëkohësisht kulturën dhe realitetin gjuhësor të Kosovës në një mjedis akademik ndërkombëtar.
Ndërkaq, profesori nga Fakulteti Juridik Egzonis Hajdari ligjëroi për studentët e nivelit master me temën “Mbrojtja e të drejtës së pronësisë sipas praktikës së GJEDNJ-së”. Gjatë ligjëratës u trajtuan parimet dhe standardet kryesore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut lidhur me mbrojtjen e pronësisë, duke ofruar analiza dhe shembuj nga praktika gjyqësore evropiane. Prezantimi kontribuoi në shkëmbimin akademik dhe në diskutimin e çështjeve juridike me rëndësi ndërkombëtare.


