Profesorët e Kolegjit AAB prezantojnë institucionin dhe zgjerojnë bashkëpunimet ndërkombëtare në Bukuresht

18 Maj 2026

Profesorët e Kolegjit AAB, Egzonis Hajdari, Eriona Ajvazi dhe Florijeta Hulaj, morën pjesë në Javën Ndërkombëtare të Mësimdhënies të organizuar nga Universiteti Romano-Amerikan (RAU) në Bukuresht, Rumani, ku përfaqësuan Kolegjin AAB në një ngjarje që mblodhi pjesëmarrës nga universitete të ndryshme ndërkombëtare.

Gjatë kësaj jave akademike dhe ndërkombëtare, profesorët e AAB-së prezantuan Kolegjin AAB, programet e studimit, kontekstin akademik dhe angazhimin institucional në ndërkombëtarizim dhe bashkëpunim ndëruniversitar. Përmes prezantimeve dhe diskutimeve të zhvilluara, u promovuan vlerat akademike dhe mundësitë që ofron AAB për studentët dhe stafin ndërkombëtar.

Në kuadër të aktiviteteve, u zhvilluan takime të shumta me përfaqësues të universiteteve nga Qiproja, Peruja, Jordania, Armenia, Kanadaja, Vjena, Turqia dhe Ukraina, ku u krijuan ura të reja bashkëpunimi për projekte të përbashkëta, mobilitete akademike dhe iniciativa ndërkombëtare.

Poashtu, në panairin informues për studentë, u shfaq interesim i madh nga studentë të shumtë ndërkombëtarë për mundësitë e studimit në Kolegjin AAB, duke reflektuar reputacionin dhe prezencën gjithnjë në rritje të institucionit në arenën ndërkombëtare.

Pjesëmarrja në këtë aktivitet përbën një tjetër hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe promovimin e Kolegjit AAB në rrjetin global të arsimit të lartë.

Share: