Profesori i Kolegjit AAB, Shpend Voca, ka bërë një prezantim akademik të rëndësishëm në Universitetin e Nottingham, me titullin “Promoting Intergroup Reconciliation Through Apology and Victimhood Beliefs”( Promovimi i Pajtimit Ndërmjet Grupeve Përmes Kërkim Faljes dhe Besimeve Viktimizuese).
Ky prezantim u prit me interes të veçantë nga komuniteti akademik, ndërsa nxiti debat dhe reflektim të thelluar mbi tema aktuale dhe me peshë të madhe shoqërore.
Pjesëmarrës gjatë prezantimit ishin anëtarë të stafit akademikë dhe studentë të fushës së Shkencave Sociale, të nivelit Bachelor deri në studime doktorale, duke e shndërruar prezantimin në një platformë të rëndësishme shkëmbimi ndërdisiplinor brenda universitetit.
Kjo paraqitje akademike e prof.Voca përbën një moment kyç në kuadër të vizitës kërkimore të tij në Universitetin e Nottingham, që ka për qëllim krijimin dhe forcimin e bashkëpunimeve kërkimore me Grupin e Traumës, Izolimit Social dhe Shëndetit Mendor pranë Fakultetit të Psikologjisë, nën udhëheqjen e profesoreshës së njohur Prof. Dr. Blerina Kellezi.
Prezantimi konfirmoi rolin e Kolegjit AAB në prodhimin e dijes bashkëkohore dhe ndërtimin e urave të qëndrueshme të bashkëpunimit akademik ndërkombëtar.