Në Kolegjin AAB promovohet libri “Fjalor shpjegues i termave të letërsisë” i autorit Aleksandër Mita

31 Tetor 2025

Në Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB u promovua botimi më i ri i Shtëpisë Botuese AAB, “Fjalor shpjegues i termave të letërsisë” , me autor Aleksandër Mita.

Kontributi i librit në letërsi

Ky botim paraqet një kontribut të rëndësishëm në fushën e studimeve letrare dhe gjuhësisë, ndërsa ofron një pasuri të gjerë termash dhe shpjegime që ndihmojnë në kuptimin dhe interpretimin e letërsisë shqipe dhe botërore.

Në ngjarje morën pjesë profesorë, studiues të letërsisë dhe studentë, që vlerësuan punën e autorit, duke theksuar rëndësinë që ky libër ka për studentët për të kuptuar më mirë terminologjinë letrare.

Vlerësimet për librin

Profesori i Kolegjit AAB Jeton Kelmendi, ndau vlerësimet e tij për librin duke thënë ndër të tjera se është bërë përzgjedhje e zgjuar e materialeve dhe struktura është e thjeshtë dhe praktike për t’u përdorur.

Në një mesazh përshëndetës, profesori Bujar Tafa, përcolli përgëzimet për autorin dhe punën e tij në këtë vepër dhe theksoi se botime të tilla ndihmojnë në ruajtjen e terminologjisë shqiptare.

“Është një kontribut i madh dhe një ndihmesë e madhe për të gjithë të interesuarit për studime letrare, por jo vetëm aq, sepse letërsia ka dëshmuar se nuk është vetëm fushë në vete , art për art. Letërsia nuk është e përcaktuar vetëm për veten e saj, rrjedhimisht ky fjalor është i dobishëm edhe për artistë e të apasionuar tjerë, sepse letërsia është dëshmuar tashmë se shkon krahas me fushëveprimtaritë e tjera njerëzore, është e pandashme me jetën”, shkroi Tafa ndër të tjera.

Përmbyllja nga autori

Autori Aleksandër Mita, ndau me të pranishmit procesin e punës shumëvjeçare dhe përkushtimin e tij, derisa falënderoi Kolegjin AAB për mbështetjen dhe mikpritjen e këtij promovimi.

Share: