Promovohet në Kolegjin AAB libri “Gjykimi i papërfunduar i Sllobodan Millosheviqit” i autores Nevenka Tromp

13 Dhjetor 2021

Në vazhdën e aktiviteteve në hapësirat e Kolegjit AAB, sot u bë promovimi i librit “Gjykimi i papërfunduar i Sllobodan Millosheviqit” i autores Dr. Nevenka Tromp, përkthimin e të cilit në gjuhën shqipe e ka mundësuar profesori i Kolegjit AAB, Kastriot Myftiu.

Në ceremoninë e promovimit të këtij libri i pranishëm ishte edhe rektori i Kolegjit AAB Bujar Demjaha, i cili u shpreh se një libër si ky na kthen prapa në kohën e regjimit të diktatorit serb Sllobodan Millosheviq.

“Mendoj që ky libër është një bagazh fantastik për ata që duan të merren me zhvillime politike dhe të mos përsëriten ato krime që kanë ndodhur më parë”, tha Demjaha.

Vetë autorja e këtij libri, Nevenka Tromp, ka treguar për përpjekjet e saj dhe sfidat që ka kaluar deri në përfundimin e tij.

“Ky libër është një punë e rreth gjashtë viteve, zgjohesha dhe shkoja në zyrë për të kërkuar dhe shqyrtuar gjithë materialin për gjykimin e Milosheviqit. Nuk e kam ditur se çfarë po bëj dhe isha e hutuar në fillim të idesë dhe periudhës kohore që doja të përfshija në libër.

Më tregonin se Sllobodan Millosheviq ka vdekur, për mua nuk ishte arsye që të ndaleshim por të vazhdonim të kuptonim edhe më tutje të vërtetën. Ky libër është historia juaj”, tha ajo ndër të tjera.

Ndërsa, të ftuarit Furtuna Sheremeti dhe Robert Muharremi folën për rëndësinë dhe lidhshmërinë e politikave të vendit me librin.

“Nëse nuk sfidohet nga pikëpamjet alternative, kontrolli i Serbisë mbi narrativën pas konfliktit mund t’i lërë Serbisë një histori më të pastër se sa e meriton, duke i lejuar elitave të pas konfliktit të ndjekin ideologjinë e bashkimit të të gjithë serbëve sido që të emërtohen. Është arritje e Dr. Tromp që të ekspozojë dimensionet politike të drejtësisë penale ndërkombëtare siç pasqyrohen në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë. Treni nuk ka ndalur, ai ende nuk është ndalur”, u shpreh z. Muharremi.

Kurse, mbi pasojat e së kaluarës foli më shumë Furtuna Sheremeti, e cila u shpreh se ndiqet nga e kaluara ende.

“Është një shprehje në gjuhën shqipe që e mbaj për zemër: “Mos t’raftë me harru”. Kjo qasje është një nga arsyet pse njerëzit në Kosovë ende e kujtojnë dhe kapen pas të kaluarës, por gjithashtu rrezikon që së shpejti të bëhet pikërisht arsyeja pse njerëzit mund të largohen, sepse dëme të tjera më të mëdha mund të bien mbi ta – duke i bërë kështu ata të kujtojnë në mënyrë të paqartë se për çfarë ishte e gjithë lufta. Dhe ky është një skenar që asnjë vend nuk duhet të lejojë të ndodhë”, u shpreh ajo.

Në fund, Tromp u përgjigj në pyetjet e studentëve dhe pjesëmarrësve të tjerë në këtë promovim.

Share: