Këshilli i lartë për kërkime shkencore i Spanjës, pjesë e të cilit është edhe grupi hulumtues Cybermetrix LAB e që njihet kryesisht për listën e Webometrix të universiteteve, ka publikuar edicionin e qershorit 2018 të ranglistës së universiteteve sipas citimeve në Google Scholar.
Kjo listë në të cilën përfshihen vetëm 5 mijë e 810 universitete botërore, ndryshe nga rangimi në Webometrix ku rangohen rreth 30 mijë sosh, bazohet në publikimet dhe hulumtimet shkencore të institucioneve të arsimit të lartë.
Në edicionin e qershorit 2018 i cili u publikua këto ditë, në mesin e 5 mijë institucioneve më të mira të arsimit të lartë në botë, nga Kosova janë përfshirë Universiteti i Prishtinës dhe Kolegji AAB.
Universiteti i Prishtinës është institucioni publik i ranguar më së larti në Google Scholar me 16 mijë e 816 citime, ndërsa Kolegji AAB mbetet institucioni jopublik që ka arritur rangimin më të lartë në mbarë trojet shqiptare sa i përket publikimeve dhe hulumtimeve shkencore në Google Scholar, me 5 mijë e 269 citime.
Ndryshe, në mesin e tri institucioneve më të mira të arsimit të lartë në gjuhën shqipe, përveç dy institucioneve nga Kosova, në rangimin sipas Google Scholar përfshihet edhe Universiteti i Evropës Juglindore nga Maqedonia me 2 mijë e 138 citime.
Rangimit sipas Google Scholar i prijnë universitetet amerikane. Universiteti i Harvardit rangohet e para me 1 milion e 699 mijë e 962 citime e pasuar nga Universiteti Stanford me 1 milionë e 361 mijë e 704 citime, e kështu me radhë.