REKTORI LULZIM TAFA: “ME KËTO HAPËSIRA, I KONKURROJMË ÇDO UNIVERSITETI NË BOTË”!

16 Tetor 2017

Në praninë e studentëve, profesorëve, përfaqësuesve të institucioneve qeveritare dhe shumë mysafirvë të tjerë, sot Kolegji AAB bëri inaugurimin e objektit të tetë ultramodern, i cili ka standardet më të larta jo vetëm në Kosovë, por edhe rajon e më gjerë.

Me këtë rast, rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa, në fjalën e tij tha se ndihet i lumtur që përurimin e godinës së tetë të këtij Kolegji,e ndërtuar me standardet më të larta të ndërtimit, po e bëjnë në 17 vjetorin e themelimit të AAB-së.

“Këtu e 17 vjet më parë, ne e filluam punën me 52 studentë dhe 300m2 hapësira mësimore. Për 17 vjet me radhë, AAB u rrit çdo vit, u rrit me studentë, u rrit me profesorë, u rrit me hapësira, u rrit me emër. Sot AAB është institucioni më i madh jo publik, jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon”, tha rektori Lulzin Tafa.

Rektori Tafa, në fjalën e tij foli edhe për vlerësimin që i është bërë Kolegjit AAB nga organizata më e njohur në botë për rangimin e universiteteve, Webometrics.

“Në ranglistën e fundit të publikuar nga Webometrics, organizata më e njohur në botë për rangimin universitar, që i përfshin edhe universitet e Kosovës dhe rajonit tonë, së bashku me Universitetin e Prishtinës, Kolegji AAB ka bërë një shkëputje të madhe, duke i lënë mbrapa të gjitha universitet e tjera publike e private në Kosovë dhe jo vetëm. AAB sot është sinonim i dijes, suksesit dhe cilësisë”, tha ai.

“Ju them me përgjegjësi të plotë se me këto hapësira, ne i konkurrojmë çdo universiteti në botë, andaj ju mbetet Juve, studentë e profesorë, që të jeni sa më të përkushtuar në punë e cilësi, në mënyrë që ne të ngritemi edhe më lartë në ranglistën botërore të universitetve. Mundësitë dhe kushtet i kemi. Dituria dhe fuqia njerëzore janë sinonime, thoshte Bakoni. Ne kemi zgjedhur arsimin si fushë për të investuar, ngase investimi në dituri paguan interesin më të mirë, thoshte dikur Benjamin Franklini”, theksoi rektori Tafa.

Ai tha se, sa herë rritet AAB-ja dhe bëhet më e madhe, atij i pëlqen që të citojë ish-presidentin e SHBA-ve, Abraham Linkolnin, kur ai thoshte se “Amerika është e madhe sepse është e mirë”, e më këtë citat rektori Tafa tha se edhe AAB është e madhe sepse është e mirë, por ai (Abraham Linkoln) porosiste se ne duhet që të punojmë shumë që të jemi gjithmonë të mirë, sepse vetëm duke qenë të mirë ne e ruajmë madhështinë tonë”.

Ndërsa, kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, me të cilën Kolegji AAB ka partneritet të ngushtë, në fjalën e tij tha se, si anëtar i këshillit drejtues të këtij kolegji, ka parë një përkushtim të jashtëzakonshëm të menaxhmentit, që krahas ruajtjes së nivelit më të lartë të cilësisë së edukimit, brenda këtij institucioni të dijes dhe shkencës, të ketë edhe përmirësim të vazhdueshëm të hapësirave fizike.

“Dëshiroj që brenda këtij institucioni të dijes dhe shkencës, të shohim sa më shumë shkencëtarë të rinj, mësimdhënës të rinj, profesionistë të mediave, e të secilës fushë tjetër, dhe ajo që është më e rëndësishmja, dëshiroj që nga ky institucion, të gjithë ata që hyjnë e dalin prej tij, të tregojnë më tepër dashuri më të madhe për atdheun, për çka ne të gjithë kemi nevojë sot”, u shpreh Zeka.

Në këtë ceremoni inaugurimi, fjalën e mori edhe studentja e AAB-së, Krenare Çerkini, kryetare e Unionit të Studentëve të Kosovës, e cila në fjalën e saj i uroi studentët e AAB-së për këtë objekt të ri modern, duke u thënë se janë vetë ata që do të përfitojnë më së shumti nga ky institucion i dijes dhe i suksesit.

Fjalë përshëndetëse në këtë ceremoni patiedhe ish-studenti i këtij kolegji, tani zv.ministër i Ministrisë së Arsimit, Shkencës e Teknologjisë së Kosovës, Arbër Geci, i cili në fjalëne tij tha se se për secilin hap të suksesit tim, meritor ka qenë Kolegji AAB.

“Një ditë, në vitin 2003, edhe unë kam qenë student në AAB, ashtu si jeni edhe ju tani. Sot po ju drejtohem prej një funksioni zyrtar, institucional. Dua t’ ju them se për secilin hap të suksesit tim, meritor ka qenë Kolegji AAB dhe stafi akademik, i cili na kanë qëndruar afër jo vetëm për të na përgatitur për sfidat të cilat i kemi pasur, por edhe për referenca për t’u punësuar e për të ecur përpara. Zgjerimi i objekteve të AAB-së tregon më së miri se AAB nuk ka vetëm hapësira, por ka edhe cilësi, sepse është cilësia ajo që na ka bashkuar, na ka rritur numrin e studentëve, na ka bërë bashkë sot, për të ecur përpara drejt sfidave të reja”, tha zv.ministri i MAShT, Arbër Geci.

Ceremonia solemne u përcoll edhe me një program artistik nga pianistja Elizabetë Qarri dhe tenori Liridon Sadria.

Kujtojmë se objekti i inauguruar sot në kampusin e Prishtinës, është objekti i tetë universitar i Kolegjit AAB.

Share: