Sonte në Prishtina International Theater Festival, prezantohet Italia

Dita e tretë e festivalit PITF2018, sjell shfaqjen nga Italia “Conffesion”me regji të Alfredo Traversa, dhe autor Marco Politi.

Në konferencën për media, regjisori njëherësh edhe aktori i shfaqjes Alfredo Traversa, tha se kjo shfaqje vjen për herë të parë në Evropë dhe se tematika e saj ka të bëjë pikërisht me idenë e të qenit i pranuar në shoqëri pa marrë parasyshë se çfarë orientimi seksual i përket.

“Këtu do ta kemi prezantimin e parë evropian. Teksti realisht ka të bëjë me një përplasje, për një prift homoseksual. Hera e parë që është prezantuar ka qenë në afërsi të Vatikanit, në teatër, ku  kjo shfaqje ka ardhur me një risi, sepse vepra tregon thjeshtësinë, homoseksualitetin, sillet në skenë një gërryerje e brendshme e individit. Kjo është forca e teatrit që nuk ofron vetëm një zgjidhje, por, jep mundësi të përballesh, t’ i përplasësh dy shpirta, dy zemra dhe një trup. Dhe kjo është e veçanta e kësaj shfaqje, të jesh apo të mos jesh në rastin e priftit”, shtoi regjisori Traversa.

Ai i uroi festivalit “Prishtina International Theater Festival” jetë të gjatë, duke shtuar se vetëm me festivale të tilla ne do t’i zhvillojmë edhe më shumë skenat teatrale, të cilat janë njëra ndër shtyllat kryesore të artit.

 “Eshtë kënaqësi, që po e ndjek këtë festival për dy ditë. Duke parë dhe observuar organizatorët, edhe nga sytë e tyre kuptoj që se është një mësim i madh i vullnetit për të shkuar përpara. Dëshira për të ecuar përpara na bën të kuptojmë se si teatri ka këtë kapacitet të madh të jetojë nëpërmjet atyre që e bëjnë këtë teatër”, shtoi Traversa.

Mbrëmë në natën e dytë të festivalit, u dha shfaqja “Nëna dhe fëmija”, në regji të Dino Mustafiq, në të cilën interpretuan aktorët Ema Andrea dhe Matia Llupa nga Shqipëria.

Edicioni i dytë i Teatrit Ndërkombëtar të Prishtinës, PITF2018, do të vazhdojë deri më 05 dhjetor në teatrin “Faruk Begolli” në Kolegjin AAB.

 

INSTITUTI AAB
APLIKO