Studentët e AAB-së i brohorasin paqes në ligjëratën e aktivistit japonez të paqes, Yuichiro Mirishita

Në kuadër të shënimit të 10 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Japonisë, aktivisti i paqes Yuichiro Mirishita, mbajti një ligjëratë për studentët e Kolegjit AAB duke shënuar edhe hapjen e Javës Japoneze në Kosovë.

Në këtë takim me studentët, ku morën pjesë edhe Kotaro Takeda, përfaqësues i Zyrës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë e Skender Boshtrakaj nga MKRS, fjalën mirëseardhëse e mbajti Prorektorja për Marrëdhënie me Publikun në Kolegjin AAB, prof.ass.dr. Venera Llunji.

Aktivisti Morishita ka udhëtuar në shumë vende të botës dhe ka dhënë vetëm një mesazh për botën: Nuk duam armë nukleare! Nuk duam armë asnjëfarë! DUAM MIQ!

Ai foli për pasojat e Luftës së Dytë Botërore e sidomos për pasojat nga hedhja e bombave atomike ne Hiroshimë dhe Nagasaki në Japoni. Përmes fotografive ai tregoi pamjet e dhembshme të të prekurve, të të mbijetuarve, të qyteteve të shkatërruara në tërësi dhe mëpas rindërtimin e tyre, rikthimin e shpresës te njerëzit, dëshirën për të mos harruar por për të ecur përpara duke e menduar vetëm një gjë: askujt nuk do t’ ia dëshironim një Hiroshimë e Nagasaki të dytë.

“Sot në botë ka mbi 15.000 lloje të ndryshme të bombave atomike. Ne, banoret e kësaj bote nuk do të duhej të mendonim se duhet të kemi bomba atomike për ta mbrojtur veten. Ne duhet ta mësojmë historinë e vendit tonë dhe të vendeve të tjera dhe të mësojmë nga ajo. Duhet ta shfaqim miqësinë me të gjithë dhe ndaj të gjithëve”, tha Morishita.

Bashkë me studentët e fakulteteve të ndryshme të Kolegjit AAB, përveç bisedës së hapur e shumë miqësore, në fund u brohorit fjala PAQE! fjalë që Morishita e thotë si mesazh kryesor në çdo vend ku ka udhëtuar dhe në gjuhen e po atij vendi.

INSTITUTI AAB
APLIKO