Studentët e AAB-së ndanë dhurata për fëmijët e SOS fshatit në Prishtinë

27 Dhjetor 2019

Klubi i Debatit i studentëve të Fakultetit të Shkencave Sociale, së bashku me prof. Arbërore Bicaj, për nder të festave të fundvitit, realizuan një vizitë humanitare në SOS fshatin e fëmijëve në Prishtinë, duke shpërndarë dhurata për fëmijët e kësaj qendre.

Gjatë kësaj vizite ata patën rastin të shohin nga afër kushtet e SOS fshatit dhe të marrin informacionet e duhura nga stafi menaxherial, mjaft kompetent dhe profesional i kësaj qendre. Informatat kishin të bëjnë me funksionimin e qendrës, duke filluar nga fëmijët e përfshirë, aspektin e socializimit, rehabilitimit dhe përkujdesjes për fëmijët e braktisur apo pa përkrahje prindërore.

Në këtë qendër kryesisht janë foshnje, fëmijë të moshës së hershme dhe të mitur të braktisur. Këta fëmijë brenda SOS fshatit bëjnë jetë familjare, dhe me ta punojnë tetë SOS nëna (kështu quhen zonjat që përkujdesen për këta fëmijë). Secila SOS nënë ka në përkujdesje nga 6 fëmijë të cilët banojnë në banesa private.

Kosto që shpenzojnë këto SOS nëna dhe fëmijët mbulohet nga një shoqatë norvegjeze. Po ashtu, brenda SOS fshatit janë angazhuar edhe katër SOS teze për punë me këta fëmijë, ku secila SOS teze përkujdeset për 2 familje dhe është zëvendësuese e SOS nënave.

Të gjitha procedurat, që nga pranimi i fëmijëve në SOS fshat, pastaj rastet e adoptimit të fëmijëve dhe raste të ndryshme juridike e procedural adresohen dhe trajtohen nga Qendra për Punë Sociale. 

Share: