Altin Selmani, student i Fakultetit të Komunikimit Masiv në Kolegjin AAB, do të jetë përfaqësues i jurisë pesë anëtarëshe të studentëve të Kolegjit AAB, në Jurinë Studentore të Universiteteve Evropiane (EUFA), në edicionin e 33-të, të EFAs2020 (European Film Awards).
Për shkak të rrethanave të krijuara globale nga pandemia Covid-19, edicioni i sivjetmë që zgjat nga 08 dhjetor – 12 dhjetor 2020, do të mbahet përmes një serie ngjarjesh virtuale.
Në mesin e 25 delegatëve të tjerë nga vende të ndryshme të Evropës, Altini do të përcjellë votën e jurisë së AAB-së në këtë ngjarje të rëndësishme të filmit. Krahas kësaj, ai do të marrë pjesë në një varg aktivitetesh që organizohen online në edicionin e sivjetmë të EFAs2020.
Juria e përzgjedhur e studentëve të AAB-së, ka punuar ngushtë me profesorin Fatos Berisha, i cili edhe ka kontribuar në anëtarësimin e Kolegjit AAB në këtë rrjet.
Kujtojmë se Kolegji AAB, është i vetmi institucion në Kosovë që është anëtar i këtij rrjeti, i anëtarësuar nga shtatori 2020.