Studentët e Fakultetit të Arteve sollën ekspozitën e parë virtuale në Kosovë

9 Prill 2020

Për herë të parë në vendin tonë, një Fakultet i Arteve solli një ekspozitë virtuale të studentëve, e këtë e bënë pikërisht studentët e Kolegjit AAB.

“Nuk mund ta karantinosh artin”/ Can’t quarantine ART, mban titullin ekspozita virtuale e studentëve të Fakultetit të Artit të Kolegjit AAB, që për të gjithë artdashësit u hap të enjten, më 09 prill 2020.
Ekspozita online vjen te ne përmes një galerie ndërkombëtare virtuale dhe do të jetë e hapur deri në fillim të muajit maj, ndërsa vjen si përgjigje ndaj situatës pandemike nga COVID-19, në të cilën ndodhet i tërë globi.
Hapja e ekspozitës ishte e veçantë, sepse u bë në transmetim live në faqen e Kolegjit AAB në facebook, duke pasur parasysh kufizimin e lëvizjes në këtë situatë pandemike.

Në hapje të ekspozitës, Ministrja në detyrë e Kulturës, Vjosa Dumoshi, tha se kjo ngjarje kulturore kur ekspozita vjen në mënyrë më ndryshe nga ekspozitat që jemi mësuar t’ i shohim, dëshmon se arti nuk mund të mbyllet dhe se e gjen mënyrën si të depërtojë. Ajo tha se është për t’ u lakmuar se si Kolegji AAB ua mundëson studentëve të vet që edhe në këtë kohë të shfaqin talentin e tyre.

Ekspozita përfshin 50 punime digjitale në zhanrin New Media Arts, të punuara në zhanret Digital Painting, Mixed Media Arts, etj., e të cilat janë punuar nga studentët e vitit të parë dhe të dytë të Dizjanit Grafik, të udhëhequr nga profesori i lëndës Besim Mikullovci, i cili ishte edhe kurator i ekspozitës virtuale.

Kujtojmë se ekspozita do të mbetet e hapur deri më 04 maj 2020, ndërsa të gjithë të interesuarit, atë mund ta vizitojnë duke klikuar në linkun: https://aab-edu.net/ekspozitavirtuale/

Share: