Studentët e Fakultetit të Gjuhës Angleze të Kolegjit AAB, ofrojnë mësimin e gjuhës angleze falas për fëmijët e fshatit SOS

19 Dhjetor 2022

Për herën e katërt me radhë studentët e Fakultetit të Gjuhës Angleze të Kolegjit AAB, kanë dhënë kontributin e tyre duke mësuar falas gjuhën angleze për fëmijët e fshatit SOS, Prishtinë. Në ditën informuese të programit profesional-vullnetar “Anglishtja nga unë te ti”, ishte e pranishme punonjësja sociale dhe koordinatorja e programit Hana Shala, që informoi studentët për specifikat e fshatit SOS.

Dekanja e Fakultetit të Gjuhës Angleze, Prof. Dr. Aida Alla, u shpreh se suksesi i këtij programi qëndron në vazhdimësinë e tij, që kultivon ndjenjën e vullnetarizmit te brezat e rinj.

Nga ky program profesional vullnetar përfitojnë 100 fëmijë, të cilët kanë nevojë për mbështetje financiare dhe sociale. Rreth 35 mësuese vullnetare i nënshtrohen një trajnimi disa javësh në lidhje me metodologjinë e mësimdhënies, të udhëhequr nga profesori i Fakultetit të Gjuhës Angleze, Niman Dreshaj.

Programet e tilla nga Fakulteti i Gjuhës Angleze të Kolegjit AAB, janë kthyer në një traditë tashmë bashkë me shumë aktivitete tjera.

Share: